Sunak, kryeministri i ardhshëm britanik. I vetmi me mbi 100 vota nga deputetët konservatorë
Rishi Sunak i është dashur të presë për të bërë atë që s’bëri dot një muaj më parë. Ish-kancelari i Thesarit në Britaninë e Madhe ka marrë mbështetjen e shumicës së deputetëve konservatorë duke u bërë edhe lider i tyre dhe rrjedhimisht kryeministër pasditen e sotme.

Boris Johnson ka njoftuar zyrtarisht se ka tërhequr ofertën e tij për të rikandiduar për kryeministër pas dorëheqjes së Liz Truss.
Favoriti kryesor për të fituar brenda konservatorëve është Rishi Sunak.
Ish-kancelari i Thesarit të Mbretërisë së Bashkuar ka siguruar tashmë 100 vota nga radhët e deputetëve konservatorë, të mjaftueshme për t’u futur në garë.
Pretendente është edhe kryetarja e Dhomës së Komunave, Penny Mourdant, por vështirë se do të arrijë të mbledhë votat e nevojshme.
Mourdant ka arritur të mbledhë vetëm 25 vota deputetësh konservatorë.
Deputetët që dikur mbështetën Boris Johnson kanë dalë hapur në mbështetje të Rishi Sunak, i cili humbi në muajin shtator përballë kryeministres në detyrë Liz Truss.
Fitorja e Sunak pritet të konfirmohet pasditen e së hënës, pasi ai ka 155 mbështetës nga radhët e ligjvënësve.
Sunak pritet të jetë kryeministri i tretë në shtatë javë, duke dëmtuar seriozisht reputacionin e Partisë Konservatore.
Megjithatë fituesi i zgjedhjeve aktuale do të përballet me një duzinë me probleme që penalizuan gjithashtu Liz Truss.
Kryesisht përçarja në parti, çmimet stratosferike, financat e zymta publike dhe opozitën e cila thotë se Konservatorët nuk kanë legjitimitet elektoral.
