Sudan/ Ushtria bie dakord për një armëpushim 24-orësh, Kryqi i Kuq: Situatë shumë e rëndë humanitare

Ushtria sudaneze ka rënë dakord të respektojë një armëpushim 24-orësh duke filluar nga ora 18:00, njoftoi Gjenerali Shams al-Din Kabashi për transmetuesin "Al Arabiya".
Njoftimi pason deklaratat e gjeneralit Mohamed Hamdan "Hemeti" Dagalo, komandant i Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), se kishte rënë dakord të respektonte një armëpushim 24-orësh për të lejuar evakuimin e të plagosurve dhe tranzitin e sigurt tw civilëve.
Sipas Kryqit të Kuq, situata humanitare në vend “është shumë e rëndë”.
Luftimet po zhvillohen në vend midis ushtrisë së rregullt dhe paraushtarakëve të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë, të lidhur me grupin privat rus Wagner.
Zëdhënësi i Kryqit të Kuq në Sudan, Germain Mwehu, tha se situata humanitare në vend është "shumë serioze" sepse "njerëzit nuk mund të dalin jashtë, ata nuk kanë qasje në ushqim dhe ilaçe" dhe "disa njerëz janë mbërthyer në aeroport apo në tregje”.
Pas ditëve në të cilat korridoret humanitare nuk janë respektuar dhe tashmë janë shkaktuar dhjetëra e dhjetëra viktima, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), paraushtarakët e udhëhequr nga gjenerali Mohamed Hamdan "Hemeti" Dagalo, thuhet se po kontrollojnë Pallatin Presidencial në Khartoum, kryeqyteti.
Kjo është raportuar nga agjencia Nova, sipas së cilës për momentin luftimet vazhdojnë lagje më lagje në qendër të kryeqytetit sudanez midis milicive të Dagalo dhe Forcave të Armatosura Sudaneze (Saf) të presidentit të Këshillit Tranzitor Sovran Abdel Fattah al Burhan dhe situata duket thelbësisht e balancuar midis dy palëve.
Sipas të njëjtit burim, përveç Khartoum-it, zonat ku janë përqendruar luftimet në këto orë janë qyteti Merowe, që ndodhet 380 kilometra në veri të kryeqytetit dhe Omdurman (ku megjithatë intensiteti i luftimeve është dukshëm më i ulët sesa në Khartoum).
Përleshje intensive raportohen gjithashtu në Darfurin e Veriut dhe Kordofanin e Veriut, veçanërisht në qytetin Al Ubayyid.

