Studiuesit danezë zbulojnë tokën më veriore në botë, një ishull ende i paemërtuar

Shkencëtarët kanë zbuluar atë që besohet të jetë toka më veriore në botë, një ishull ende i paemërtuar në veri të Grenlandës, që së shpejti mund të “gëlltitet” nga ujërat e detit.
Studiuesit nisën ekspeditën në muajin korrik dhe fillimisht menduan se kishin arritur në Oodaaq, deri më tani ishulli më verior në planet.
"Ne menduam se ishte një gabim I GPS-it, i cili na kishte bërë të besojmë se ishim duke qëndruar në ishullin Oodaaq," tha kreu i misionit, Morten Rasch nga departamenti i gjeoshkencave dhe menaxhimit të burimeve natyrore të Universitetit të Kopenhagenit.
"Në realitet, ne kishim zbuluar një ishull të ri më në veri, një zbulim që vetëm pak zgjeron mbretërinë" e Danimarkës, shtoi ai.
Ishulli i ri është 780 metra në veri të Oodaaq. Por është vetëm 30 deri në 60 metra mbi nivelin e detit, dhe Rasch tha se mund të jetë një "ishull jetëshkurtër".
"Askush nuk e di sa kohë do të mbetet. Në parim, ai mund të zhduket sapo të godasë një stuhi e re e fuqishme."
Territori autonom danez i Grenlandës ka zënë titujt e gazetave në vitet e fundit, veçanërisht në vitin 2019 kur ish -presidenti amerikan Donald Trump tha se donte të blinte territorin e Arktikut.
Propozimi, i përshkruar si "absurd" nga qeveria daneze, shkaktoi një përplasje diplomatike, por gjithashtu sinjalizoi interesin e përtërirë amerikan në rajon.

