“STOP” makinave elektrike në SHBA/ Zyrtarët amerikanë: Dëmtojnë ekonominë, mund të përdoren edhe për spiunazh
Vijon lufta tregtare mes dy superfuqive SHBA-Kinë. Zyrtarët amerikanë i bëjnë thirrje presidentit Biden për të ndaluar importet e makinave elektrike që prodhohen në Kinë. Por përveç anës ekonomike, ata ngrenë shqetësime edhe për sigurinë kombëtare.

Presidentit Joe Biden i është kërkuar të ndalojë importet e makinave elektrike të prodhimit kinez në SHBA, teksa dy ekonomitë më të mëdha në botë janë bllokuar në një luftë tregtare prej më shumë se 6 vitesh.
Kryetari i Komitetit Bankar të Senatit, Sherrod Brown deklaroi se mjetet elektrike kineze janë një kërcënim ekzistencial për industrinë amerikane të automobilave.
“Ne nuk mund ta lejojmë Pekinin të sjellë mashtrimin e saj të mbështetur nga qeveria në industrinë tonë’, shtoi ai.
Këto janë akuzat më të forta nga çdo ligjvënës amerikan për këtë çështje, ndërsa të tjerë kanë kërkuar tarifa të larta si mënyrë për t’i mbajtur ato prodhime jashtë vendit.
Në shkurt të këtij viti, Shtëpia e Bardhë njoftoi se po hapte një hetim nëse makinat kineze paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, duke mos hedhur poshtë mundësinë e kufizimeve lidhur me shqetësimet se teknologjia në makinat e prodhuara në Kinë mund të mbledhë sasi të mëdha të dhënash të ndjeshme për drejtuesit dhe pasagjerët e tyre.
Zyrtarët argumentuan se makinat që janë të lidhura me internetin përdorin rregullisht kamerat dhe sensorët e tyre për të regjistruar informacione të detajuara mbi infrastrukturën amerikane dhe mund të pilotohen ose çaktivizohen nga distance.
Kina është prodhuesi më i madh në botë i makinave dhe konkurron me Japoninë për të qenë edhe eksportuesi më i madh.
Në vitin 2018, Trump vendosi tarifa për më shumë se 360 miliardë dollarë të mallrave kineze dhe Pekini u përgjigj me tarifa për më shumë se 110 miliardë dollarë produkte amerikane.
Presidenti Joe Biden i ka mbajtur kryesisht ato tarifa në vend. Vitin e kaluar vlera e mallrave që SHBA bleu nga Kina ra më shumë se 20%, ndërsa eksportet amerikane në Kinë ranë me 4%.



