Spiunonte për Kinën, arrestohet eksperti i njohur në SHBA

Spiunonte për Kinën, arrestohet eksperti i njohur në SHBA

Nga James Lynch, NATIONAL REVIEW

Një ekspert i politikës së jashtme, i cili ka pasur një rol këshillues në Departamentin e Shtetit, akuzohet për vjedhje të informacioneve të klasifikuara dhe për takime të shumta me zyrtarë kinezë.

Departamenti i Drejtësisë njoftoi të martën arrestimin e Ashley Tellis, një studiues i respektuar, i specializuar në çështjet e Azisë dhe Indisë, për zotërim të paligjshëm të informacioneve që lidhen me mbrojtjen kombëtare.

“Ne jemi plotësisht të përqendruar në mbrojtjen e popullit amerikan nga të gjitha kërcënimet, si të brendshme ashtu edhe të jashtme. Akuzat e ngritura në këtë rast përfaqësojnë një rrezik serioz për sigurinë dhe mbrojtjen e qytetarëve tanë,” tha prokurorja e SHBA-së për Virxhinian lindore, Lindsey Halligan, e emëruar nga presidenti Trump.

“Faktet dhe ligji në këtë rast janë të qarta, dhe ne do të vazhdojmë t’i ndjekim ato për t’u siguruar që drejtësia të vihet në vend”.

Sipas Fox News, duke iu referuar një deklarate nën betim nga Departamenti i Drejtësisë, Tellis ka qenë këshilltar pa pagesë në Departamentin e Shtetit dhe kontraktor në Zyrën e Vlerësimit Strategjik të Departamentit të Luftës.

Aktualisht, ai është bashkëpunëtor i lartë në ‘Carnegie Endowment for International Peace’, një institut i njohur për politika të jashtme që kundërshton administratën Trump. Tellis kishte publikuar analiza për këtë institut deri edhe javën e kaluar.

Sipas ‘Capital Research Center’, disa fondacione të majta, përfshirë ‘Open Society Foundations’ të George Soros-it dhe ‘Bill and Melinda Gates Foundation’, kanë financuar ‘Carnegie Endowment’.

NR ka kontaktuar ‘Carnegie Endowment for International Peace’ për një koment.

Prokurorët federalë thanë se Tellis kishte certifikatë sigurie “tepër sekrete”, që i mundësonte qasje në informacione të ndjeshme. Ai kishte punuar për Departamentin e Shtetit që nga viti 2001.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij në veriun e Virxhinias, autoritetet gjetën mbi një mijë faqe dokumentesh të klasifikuara me shënimet “TOP SECRET” dhe “SECRET”, raportoi Fox News. Sipas CNN, disa nga dokumentet që dyshohet se kishte në zotërim përmbanin informacione mbi aftësitë e Forcave Ajrore.

Prokurorët federalë pretendojnë se Tellis është takuar disa herë gjatë viteve të fundit me zyrtarë kinezë. Sipas dokumenteve gjyqësore, më 2 shtator, Tellis kishte marrë një çantë dhuratë gjatë një takimi me zyrtarë kinezë. Nuk është e qartë se çfarë informacioni mund t’u ketë dhënë kontakteve të tij kineze.

Kina konsiderohet një nga kërcënimet kryesore ndaj sigurisë së SHBA-së dhe zhvillon operacione spiunazhi në institucione të ndryshme amerikane.

Tellis u paraqit për herë të parë në gjykatë të martën dhe ka një seancë për masën e sigurisë të planifikuar për javën e ardhshme. Ai u arrestua dhe u akuzua gjatë fundjavës.

Nëse shpallet fajtor, Tellis mund të përballet me deri në dhjetë vjet burg.

EMISIONET