S*lmi në Jordani vë në pikëpyetje mbrojtjen ajrore amerikane

Raportimet e publikuara në media për sulmin ndaj bazës ajrore Muuaffaq al Salti në Jordani kanë hapur debat mbi aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të mbrojtur bazat e tyre ushtarake nga raketat moderne.
Sipas raportimeve, sulmi shkaktoi viktima mes personelit amerikan dhe dëmtime të konsiderueshme në infrastrukturën ushtarake, ndërsa disa prej pretendimeve për shkatërrimin e avionëve luftarakë ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht. Raketat e përdorura nga Irani kanë treguar aftësi më të avancuara sesa ishte vlerësuar më parë.
Disa raketa mund të kenë ndryshuar trajektoren në fazën e fundit të fluturimit, duke e bërë më të vështirë ndërhyrjen e sistemeve mbrojtëse Patriot. Nëse kjo do të vërtetohej, do të përbënte një zhvillim të rëndësishëm në teknologjinë raketore iraniane dhe një sfidë të re për mbrojtjen ajrore amerikane.
Një tjetër element lidhet me mënyrën e organizimit të bazës. Shumë avionë luftarakë, helikopterë dhe dronë thuhet se ishin vendosur në ambiente të hapura, pa hangarë të fortifikuar. Kjo do të rriste ndjeshëm rrezikun që edhe një goditje e vetme të shkaktonte dëme të mëdha materiale dhe operacionale. Ekspertët ushtarakë kanë theksuar prej kohësh se mbrojtja fizike e bazave është po aq e rëndësishme sa edhe sistemet kundërraketore.
Baza në Jordani është një nga pikat kyçe të operacioneve amerikane në Lindjen e Mesme. Pozicioni i saj gjeografik e bën të përshtatshme për misione ajrore në rajon, por njëkohësisht e ekspozon ndaj sulmeve me raketa me rreze të gjatë veprimi. Kjo ka shtuar diskutimet nëse SHBA-të duhet të investojnë më shumë në fortifikimin e bazave ekzistuese ose të zhvendosë një pjesë të kapaciteteve në zona më të sigurta.
Në kohët e sotme, sistemet më të avancuara të mbrojtjes, si THAAD dhe Arrow 3, janë projektuar për të interceptuar raketat në lartësi shumë të largëta. Megjithatë, këto sisteme janë të kushtueshme, të kufizuara në numër dhe nuk mund të mbulojnë çdo bazë ushtarake në rajon.
Nuk përjashtohet mundësia që Irani mund të ketë zhvilluar variante të reja të raketave balistike, të afta për të kryer manovra gjatë fazës përfundimtare të fluturimit. Këto pretendime mbeten të pakonfirmuara nga burime të pavarura dhe nuk janë verifikuar zyrtarisht, por nëse do të rezultonin të sakta, do të tregonin një përparim të rëndësishëm në aftësitë ushtarake iraniane.
Ngjarjet e fundit nga bombardimet amerikane dhe hakmarrja iraniane ka rritur shqetësimet për sigurinë e bazave amerikane në Lindjen e Mesme.
Nga Gianluca Di Feo, Corriere Dellla Sera

