Si u përgatit sulmi ndaj Iranit? Raporti i Wall Street Journal zbulon bazën sekrete izraelite në shkretëtirën e Irakut

Një raport i publikuar nga Wall Street Journal ka bërë me dije se Izraeli ka ndërtuar fshehurazi një pikë ushtarake në shkretëtirën e Irakut, e cila dyshohet se është përdorur për të mbështetur operacionet ajrore kundër Iranit.
Sipas raportit, kjo bazë është ngritur pak para nisjes së një fushate ushtarake të përbashkët SHBA–Izrael kundër Iranit në fund të shkurtit.
Ajo është përdorur për forca speciale, logjistikë të Forcës Ajrore izraelite dhe ekipe të kërkim-shpëtimit në rast emergjencash.
SHBA thuhet se ka qenë në dijeni të ekzistencës së kësaj baze. Ajo ndodhej në një zonë të shkretë dhe kishte për qëllim të shërbente si pikë më e afërt mbështetëse për operacionet ajrore me distancë të gjatë.
Sipas të njëjtit raport, baza pothuajse u zbulua në fillim të marsit, kur një bari vendas raportoi lëvizje të pazakonta ushtarake në zonë.
Pas kësaj, forcat irakiane shkuan për të hetuar, por u përballën me zjarr, ku një ushtar humbi jetën dhe dy të tjerë u plagosën.
Autoritetet në Irak fillimisht ngritën dyshime se në zonë mund të kenë vepruar forca të huaja pa koordinim me Bagdadin.
Më vonë, një zyrtar ushtarak irakian ka deklaruar se operacioni ishte kryer pa miratim dhe pa njoftim paraprak, duke e cilësuar situatën si të rrezikshme dhe të pa koordinuar.
Sipas raportimit, kjo bazë ka ndihmuar Izraelin në operacionet ajrore me rreze të gjatë kundër Iranit, duke i dhënë një pozicion më të afërt me zonën e konfliktit.
Ushtria izraelite nuk ka komentuar mbi këto pretendime.


