Shtatë vende me shumicë myslimane kërkojnë armëpushim të përhershëm në Gaza

Shtatë vende me shumicë myslimane kërkojnë armëpushim

Një grup shtetesh me shumicë myslimane dhe me ndikim i bënë thirrje Izraelit dhe Hamasit të respektojnë armëpushimin e brishtë në Rripin e Gazës, duke theksuar nevojën për masa të mëtejshme për të arritur një zgjidhje afatgjatë të konfliktit.

‘’Ministrat e Jashtëm të shtatë vendeve, përfshirë Katarin, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jordaninë, Pakistanin dhe Indonezinë, si dhe Turqinë mikpritëse, ranë dakord se një zgjidhje me dy shtete ishte e vetmja rrugë drejt paqes së qëndrueshme”, theksoi ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan pas takimit në Stamboll.

Zgjidhja me dy shtete sipas tyre ”parashikon bashkëjetesën paqësore të Izraelit dhe një shteti të pavarur palestinez”.

Bisedimet midis diplomatëve të lartë pritej të përqendroheshin në konsolidimin e armëpushimit të brishtë midis Izraelit dhe Hamasit, i cili filloi më 10 tetor, si dhe në fazën e dytë të planit të paqes të presidentit të SHBA-së Donald Trump.

Megjithatë, Fidan nuk zbuloi ndonjë rezultat të prekshëm.

Plani 20-pikësh bën thirrje për çarmatimin e milicisë islamike palestineze Hamas dhe përjashtimin e saj nga çdo rol politik i ardhshëm në Rripin e Gazës – dy çështje shumë të diskutueshme.

Gjithashtu, ai bën thirrje për formimin e një force ndërkombëtare për të ndihmuar në stabilizimin e sigurisë në territorin palestinez.

Turqia, e cila mban lidhje të ngushta me Hamasin, luajti një rol kyç në ndërmjetësimin e armëpushimit. Përpara takimit të së hënës, Fidan zhvilloi bisedime në Stamboll, të shtunën, me anëtarët e byrosë politike të Hamasit për të diskutuar armëpushimin.

Fidan theksoi se ”Hamasi është gati të transferojë administrimin e Rripit të Gazës te një organ palestinez”, por vuri në dukje se ”një mandat i Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të kërkohej për vendosjen e një force paqeruajtëse ndërkombëtare”.

EMISIONET