Shpërthen Salvini: Franca i refuzon fëmijët tanë dhe mban terroristët

Matteo Salvini e cilësoi sjelljen e autoriteteve franceze si "turp", duke komentuar refuzimin për t'i dorëzuar Italisë ish-terroristët që ikën përtej Alpeve.
Franca “na refuzon fëmijët në kufi në Ventimiglia në pyll dhe mban fort terroristët që duhet të jenë në burg në Itali”, deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministri i infrastrukturës.
Me 28 mars, Gjykata e Lartë e Francës rrëzoi përfundimisht kërkesën për ekstradim të dhjetë ish-terroristëve italianë që jetojnë prej shumë vitesh në qytetet franceze.
Kërkesa e paraqitur nga autoritetet italiane u mbështet nga qeveria franceze. Pas vendimit negativ të Gjykatës së Apelit të Parisit, Prokurori i Përgjithshëm i Parisit apeloi në Gjykatën e Lartë të vendit.
Refuzimi i ri përfundimtar i kërkesës bazohet, siç u zbulua, në faktin se ish-terroristët u dënuan në gjyqe të zhvilluara në Itali pa qenë prezent dhe në faktin se në Francë tashmë kanë krijuar një realitet të përhershëm profesional dhe familjar.
Pjesa më e madhe e tyre janë ish-anëtarë të Brigadave të Kuqe të dënuar me vendime të formës së prerë nga drejtësia italiane.
Mes tyre Giovanni Alimondi, Enzo Calviti, Marina Petrella dhe Roberta Capelli.
Siç nënvizon gazeta Corriere della Sera, “ky vendim është një disfatë për autoritetet italiane por edhe për ato franceze, të cilat kishin dhënë “dritën jeshile” më 27 prill 2021 për arrestimin e dhjetë ish-terroristëve, me operacionin “hijet e kuqe””.


