Shërbimet sekrete të Izraelit të dislokuara brenda Iranit për të ndihmuar sulmin

Shërbimet sekrete të Izraelit të dislokuara brenda Iranit

Izraeli kishte vendosur forca të shërbimit sekret, në thellësi të territorit të Iranit për të ndihmuar në përgatitjen e sulmit të tij të papritur gjatë natës, raportuan sot disa nga mediet e vendit.

”Sulmet kundër objekteve bërthamore dhe komandës ushtarake të Iranit ishin përgatitur prej vitesh”, thanë raportet, duke cituar burime sekrete.

Për këtë qëllim, njësitë e shërbimit të huaj sekret, Mossad, kishin vendosur armë precize, automjete dhe baza dronësh pranë depove nëntokësore të raketave dhe pozicioneve të mbrojtjes ajrore në prag të sulmeve.

Në fillim të sulmeve, këto sisteme u drejtuan nga distanca kundër objektivave të tyre dhe thuhet se i goditën ato me saktësi të jashtëzakonshme, duke shkatërruar pozicionet e mbrojtjes ajrore iraniane.

Kjo hapi rrugën për avionët luftarakë izraelitë dhe u mundësoi atyre të lëviznin pa pengesa në hapësirën ajrore iraniane.

”Një bazë dronësh e ngritur paraprakisht pranë Teheranit u përdor për të qëlluar me dronë luftarakë në siloset e raketave nga të cilat Irani do të kishte nisur sulme hakmarrëse kundër Izraelit”, thanë raportet.

Gjatë sulmit masiv, Izraeli shënjestroi pjesën më të madhe të udhëheqjes ushtarake iraniane dhe sulmoi disa baza dhe objekte bërthamore.

Ai gjithashtu goditi objektiva në kryeqytetin Teheran dhe në perëndim të vendit. Irani u kundërpërgjigj me rreth 100 dronë të dërguar drejt Izraelit, të cilët u kapën të gjithë, sipas raportimeve të medias.

EMISIONET