"Sheherezade”, jahti i sekuestruar. Një nga 14 ekzemplarët unikë në botë

Qeveria italiane vendosi të "ngrijë" jahtin luksoz "Sheherazade" i cili ndodhet i ankoruar në portin "Marina di Carrara".
Me një vendim të firmosur nga Ministria e Ekonomisë dhe e Financës, pas hetimeve të kryera nga Guardia di Finanza, është vendosur "sekuestrimi" i mjetit detar me vlerë 700 milionë euro.
"Pas hetimeve të kryera nga reparti special i Policisë së Krimit Ekonomik të Guardia di Finanza, janë evidentuar lidhje të rëndësishme ekonomike e sipërmarrëse të subjektit që ka disponueshmërinë e këtij mjeti si dhe të pronarit përfitues të anijes "Scheherazade" me elemente të spikatur të qeverisë ruse dhe me subjekte të tjera të përfshira në urdhëresën e Bashkimit Europian 269/2014, mbi masat kufizuese ndaj veprimeve që kompromentojnë apo kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin e pavarësinë e Ukrainës", thuhet në draftin e Ministrisë italiane të Ekonomisë e Financës.
Jahti i cili mban flamurin e ishujve Kajman, ishte prej kohësh nën vëzhgimin e autoriteteve kompetente italiane.
Mbi bazën e elementëve të mbledhura Komiteti Italian i Sigurisë Financiare i ka propozuar Këshillit të Europës që të rendisë dhe këtë mjet lundrues në listën e masave të sanksioneve ndaj oligarkëve rusë me pasuri në territorin e Bashkimit Europian.
Jahti "Schehrezade" është një nga 14 ekzemplarët unikë në botë me gjatësi mbi 140 metra e vlerë 700 milionë euro e i vetmi të cilit nuk i dihet pronari.
Ai ka në brendësi gjashtë kate, dy eliporte, 10 167 tonë peshë, ambiente e objekte luksi nga më të ndryshmet, sipas dokumentacionit. "Shehrezade" i përket kompanisë Bielor Asset Ltd, me seli në ishujt Marshall.

