SHBA NGRIN KËRKESAT E AFGANËVE/ Sulmi ndaj Gardës Kombëtare pranë Shtëpisë së Bardhë ndez alarmet

Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar përkohësisht përpunimin e të gjitha kërkesave të imigracionit nga shtetas afganë, pasi një 29-vjeçar nga Afganistani u identifikua si autori i dyshuar i sulmit ndaj dy pjesëtarëve të Gardës Kombëtare pranë Shtëpisë së Bardhë. Incidenti ka rikthyer në qendër të debatit programet humanitare të hyrjes së afganëve pas tërheqjes amerikane nga Kabuli në vitin 2021. Administrata Trump thotë se rishikimi është i domosdoshëm për arsye sigurie.

SHBA NGRIN KËRKESAT E AFGANËVE/ Sulmi ndaj Gardës Kombëtare

Pak orë pasi një afgan u akuzua për plagosjen e dy ushtarëve të Gardës Kombëtare pranë Shtëpisë së Bardhë, Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar përpunimin e kërkesave të imigracionit që vijnë nga shtetasit afganë

I dyshuari, Rahmanullah Lakamal, kishte mbërritur në SHBA në shtator 2021 përmes programit “Aleatë Mirësevini”, skema e krijuar për të strehuar afganët e rrezikuar pas tërheqjes së trupave amerikane nga Kabuli.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare tha se 29-vjeçari kishte marrë azil këtë vit, ndërsa Presidenti Donald Trump e cilësoi sulmin si “akt terrori”.

Sipas autoriteteve, Lakamal i është afruar dy ushtarëve në një zonë të frekuentuar pranë Farragut Square, ku ata po kryenin patrullime të dukshme.

Zyrtarët e policisë raportuan se ai “erdhi nga cepi i rrugës dhe nisi menjëherë të qëllonte”, duke i zënë ushtarët në pritë.

Forcat e tjera të Gardës e neutralizuan të dyshuarin, i cili u qëllua katër herë para se të arrestohej. Dy ushtarët mbeten në gjendje kritike, ndërsa dëshmitarët përshkruan panik dhe njerëz që shpërndaheshin me shpejtësi, duke kërkuar strehim nëpër biznese përreth.

Pamjet e filmuara tregojnë tre persona të plagosur në trotuar, mes tyre edhe autorin e dyshuar.

Pas ngjarjes, Trump urdhëroi dërgimin e 500 trupave të tjerë të Gardës Kombëtare në kryeqytet.

Presidenti amerikan ka kërkuar gjithashtu rishikimin e të gjithë afganëve që hynë në SHBA nën administratën Biden, ndërkohë që më herët kishte vendosur ndalime udhëtimi dhe kishte shfuqizuar programet e mbrojtjes së përkohshme për migrantët afganë. Ngjarja ka rikthyer debatin për sigurinë, proceset e azilit dhe përgjegjësitë e SHBA-së ndaj aleatëve afganë pas vitit 2021.

EMISIONET