SHBA ndalon vizat për zyrtarët palestinezë të PLO-së dhe AP-së

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vendosin ndalime vizash për anëtarët e dy organizatave kryesore palestineze, njoftoi sot Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH).
Zyrtarëve nga Organizata për Çlirimin e Palestinës (PLO) dhe Autoriteti Palestinez (AP) do t’u mohohen vizat amerikane – pasi Uashingtoni i akuzon grupet për “minimin” e perspektivave për paqe.
Autoriteti Palestinez (AP) administron disa pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, ndërsa PLO njihet ndërkombëtarisht si përfaqësuesi zyrtar i popullit palestinez.
Grupi islamist Hamas, në Rripin e Gazës, nuk është pjesë as e PLO-së dhe as e AP-së.
Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar mirëpriti sot sanksionet, duke falënderuar sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio për “aftësinë për të dalluar të drejtën nga e gabuara”.
Në një postim në X, Saar akuzoi AP-në për nxitje të urrejtjes kundër Izraelit përmes shkollave, xhamive, teksteve shkollore dhe medias së saj – dhe përsëriti kritikat e Izraelit për mbështetjen financiare të AP-së për palestinezët e dënuar për terrorizëm.
Vendimi i Uashingtonit vjen menjëherë pas njoftimit të planeve nga Franca, Britania e Madhe dhe Kanadaja për të njohur shtetin palestinez, megjithëse Londra dhe Otava kanë vendosur disa kushte. Administrata Trump i ka kritikuar këto lëvizje.


