SHBA/ Dy të vrarë pas të shtënave në një universitet

Dy persona u vranë dhe të paktën tetë të tjerë u plagosën pas të shtënave në universitetin Brown, në qytetin verilindor amerikan të Providences, thanë zyrtarët.
”Të plagosurit janë në gjendje kritike, por të qëndrueshme”, tha kryebashkiaku i Providence, Brett Smiley, duke shtuar se i dyshuari ishte ende i lirë.
Policia tha se personi qëlloi brenda një ndërtese ku mësohen inxhinieri dhe fizikë, ku ndodhen klasa mësimi dhe laboratorë.
Motivi i sulmit nuk ishte menjëherë i qartë.
”Të gjitha viktimat ishin studentë dhe incidenti ndodhi ndërsa po zhvilloheshin provimet përfundimtare”, thanë zyrtarët e universitetit.
”Më shumë se 400 oficerë, edhe nga FBI, janë në vendngjarje”, tha kryebashkiaku.
Dje vonë, policia publikoi një video që tregonte të dyshuarin të veshur me të zeza, megjithëse fytyra e tij nuk ishte e dukshme.
Ai u largua nga kampusi në këmbë.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha në platformën e tij Truth Social se autori i sulmit ishte në paraburgim, por më vonë e korrigjoi deklaratën.
Universiteti Brown është një institucion privat i Ivy League që ndodhet në Providence, kryeqytetin e shtetit të Rhode Island.
Qyteti shtrihet në jug të Bostonit dhe ka një popullsi prej rreth 200 000 banorësh.
Rastet e dhunës me armë ndodhin vazhdimisht në Shtetet e Bashkuara – në shkolla, vende pune, supermarkete, klube nate dhe ngjarje të mëdha.
Armët e zjarrit, përfshirë disa armë gjysmëautomatike, janë lehtësisht të arritshme.
Pavarësisht zemërimit të përhapur pas incidenteve veçanërisht të rënda, përpjekjet për të shtrënguar ligjet për armët kanë dështuar për vite me radhë.


