Senati amerikan miraton projektligjin e parë për kontrollin e armëve. Senatorët republikanë ‘tradhtojnë’ Trump
15 senatorë republikanë i janë bashkuar projektligjit të demokratëve lidhur me kontrollin e armëve, duke e miratuar në masën 65 vota pro dhe 33 kundër.
Projektligji i cili konsiderohet si më i rëndësishmi në 30 vjet përfshin kontrolle të zgjeruara për blerësit e armëve të zjarrit nën moshën 21-vjeçare, 11 miliardë dollarë financime për shëndetin mendor dhe dy miliardë dollarë për programet e sigurisë në shkolla.
Projektligji ndjek të shtënat masive që lanë të vdekur 21 persona në një shkollë fillore, 19 prej të cilëve fëmijë në Teksas dhe në Nju Jork, ku u qëlluan për vdekje të paktën 10 persona.
Ish-presidenti Donald Trump, përmes një reagimi në rrjetet sociale sulmoi senatorët republikanë lidhur me votimin e projektligjit të demokratëve, për të cilën tha se firmosën fundin e karrierës së tyre politike.
Edhe pse votimi ishte dypartiak, propozimet janë shumë larg atyre që kanë kërkuar shumë demokratë dhe aktivistë, të cilët kundërshtojnë Amendamentin e Dytë të Kushtetutës Amerikane e cila u lejon shtetasve amerikanë, posedimin e armëve.
Presidenti Joe Biden e përshëndeti votimin e Senatit, për të cilën tha se ligji do të ndihmojë në mbrojtjen e jetëve të amerikanëve, sidomos për fëmijët dhe komunitetet.
Efekte
Shoqata Kombëtare e Armëve të Zjarrit dhe shumë republikanë në të dy dhomat e Kongresit e kundërshtuan projektligjin.
SHBA-ja përllogaritet të ketë shkallën më të lartë të vdekjeve nga armët e zjarrit ndër kombet e zhvilluara në botë.
Më shumë se 20,900 njerëz janë vrarë me armë në SHBA këtë vit, duke përfshirë vrasjet dhe vetëvrasjet.