Satelitët zbulojnë derdhjet e naftës në det! Shifra alarmante: Më shumë se 90,000 shkarkime, asnjë i ndëshkuar
Një studim ndërkombëtar zbulon se mbi 90,000 raste të ndotjes detare nga anijet janë regjistruar nga satelitët mes viteve 2014–2019, por vetëm 474 janë raportuar zyrtarisht dhe pothuajse asnjë nuk është ndëshkuar. Ekspertët paralajmërojnë se këto shkarkime të paligjshme me ujëra të ndotura po dëmtojnë seriozisht jetën detare dhe kërkojnë masa më të ashpra ndaj shkelësve.

Një studim i fundit ka zbuluar se vetëm 474 raste të ndotjes me naftë nga anijet në det janë raportuar zyrtarisht në një periudhë pesëvjeçare, nga 2014 deri në 2019, ndërkohë që janë identifikuar më shumë se 90,000 njolla nafte në ujërat detare përmes imazheve satelitore.
Praktikisht, shumica dërrmuese e ndotjeve kanë kaluar pa asnjë pasojë apo ndëshkim.
Sipas raportit të realizuar nga Universiteti Shtetëror i Floridës, të gjitha këto njolla të dukshme nga sateliti janë të paligjshme, pasi sasinë e ndotjes e tejkalojnë mbi 1000 herë mbi kufirin e lejuar.
“Shkalla e mosraportimit të ndotjes është shumë më e madhe nga sa është menduar” thonë ekspertët.
“Më parë pretendohej se një pjesë e këtyre ndotjeve vinin natyrshëm nga nëntoka detare, por studimet e fundit tregojnë se shumica janë nga veprimtaria njerëzore.”, shtojnë ata.
Një analizë me imazhe satelitore zbuloi se rreth 20% e njollave të naftës në oqean vinin nga anijet, ndërsa vetëm 6% nga burime natyrore dhe 2% nga platformat e naftës apo tubacionet. Pjesa tjetër ishte nga burime të panjohura.
Një tjetër studim në brigjet e Afrikës Perëndimore Benin, Gana, Bregu i Fildishtë, Sierra Leone, Liberia dhe Togo, gjatë viteve 2021-2022, 16% e njollave të naftës atje vinin nga anijet, por asnjë incident nuk është raportuar zyrtarisht nga këto shtete.
Shumica e rasteve nuk sanksionohen, sepse ndjekja ligjore ndaj kompanive të mëdha detare është e kushtueshme dhe e vështirë.
Ekspertët paralajmërojnë se këto ndotje të përsëritura janë duke rrezikuar jetën detare, sidomos planktonët, që janë baza e zinxhirit ushqimor detar.
“Nëse do të ndalonim përdorimin e karburanteve fosile, do të ndalonim edhe këto ndotje që shkatërrojnë jetën detare,” thonë specialistët e mbrojtjes detare.
Ata kërkojnë masa më të rrepta dhe ndëshkime të forta për industrinë e transportit detar, veçanërisht për anijet që transportojnë naftë dhe gaz.


