Republikania e profilit të lartë Marjorie Taylor Greene largohet nga Kongresi pas përplasjes me Trumpin

Kongresmenja e Xhorxhias, Marjorie Taylor Greene, ka njoftuar se do të japë dorëheqjen nga mandati i saj — një kthesë e papritur për një nga figurat më të spikatura republikane, pas një përplasjeje publike me Presidentin Donald Trump.
Greene, dikur një nga yjet kryesorë të lëvizjes pro-Trump (MAGA), publikoi një deklaratë me video në rrjetet sociale, ku njoftoi se do të largohej nga Kongresi më 5 janar 2026.
Ajo ka qenë një nga mbrojtëset më të zjarrta të Trump në Kongres, por thirrjet e saj të vazhdueshme për publikimin e dosjeve të lidhura me pedofilin e ndjerë Jeffrey Epstein çuan në një konflikt të hapur me presidentin, i cili më pas e quajti atë “tradhtare”.
“Refuzoj të jem një ‘grua e rrahur’ që shpreson se gjithçka do të kalojë dhe të përmirësohet vetë,” tha ajo në video.
Trump, i cili kishte kërcënuar të mbështeste një rivale republikane për ta rrëzuar Greene nga posti, e përshëndeti dorëheqjen e saj duke e quajtur “lajm të shkëlqyer për vendin” gjatë një interviste për ABC News.
Në njoftimin e saj, Greene tha se “nuk donte që distrikiti im i dashur të përballej me një garë paraprake të ashpër dhe përçarëse kundër meje, të nxitur nga presidenti për të cilin të gjithë kemi luftuar, vetëm që unë të vazhdoja të luftoja për rizgjedhje, ndërkohë që republikanët rrezikojnë të humbasin zgjedhjet e mesit të mandatit”.
Greene ka qenë një nga figurat më këmbëngulëse që kërkonte publikimin e dokumenteve të lidhura me Epstein — një temë që dikur e bashkonte Trumpin me bazën e tij, por që tanimë është kthyer në pikë përçarjeje.
Trump kishte kalur muaj duke pretenduar se çështja e Epstein ishte një shpërqendrim i fabrikuar nga kundërshtarët e tij politikë për të zbehur arritjet e administratës së tij.
“Mbrojtja e grave amerikane që u përdhunuan që në moshën 14 vjeç, u trafikuan dhe u shfrytëzuan nga burra të pasur e të fuqishëm, nuk duhet të çojë në atë që unë të quhem tradhtare dhe të kërcënohem nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, për të cilin kam luftuar,” tha Greene në letrën e saj të dorëheqjes.


