Rekord të ri vdekjesh nga Covid 19, India regjistron bilancin më të rëndë që nga fillimi i pandemisë

India ka regjistruar bilancin më të rëndë ditor që nga fillimi i pandemisë, me 3,689 viktima dhe mbi 400 mijë të infektuar të rinj me Covid-19.
Prej javësh familjet indiane kërkojnë në ankth për ilaçe dhe ndihmë mjekësore teksa sistemi shëndetësor është drejt kolapsit.
Ekspertët thonë se janë një numër i madh që po vdesin në shtëpi, në zonat rurale, ndaj shifra reale e viktimave është edhe më e lartë.
Varianti indian i koronavirusit nuk kursen as moshat e reja.
Janë mbi 215 mijë gjithsej që nuk i kanë mbijetuar infeksionit dhe vazhdon të shtohet përditë numri i kufomave në morgë e në krematorët e shpërndarë nëpër qytete.
Edhe pse është vendi i parë prodhues në botë për vaksinat, fushata e imunizimit në Indi po ecën me ritme të ngadalta megjithëse janë ftuar të gjithë të rriturit të vaksinohen.
"Jemi vendi i dytë me popullsinë më të madhe në botë. Por na ka munguar planifikimi dhe organizimi për Covidin që ka një vit mes nesh."
"Kam marrë vetëm një dozë. Kur shkova për të dytën më thanë që nuk kishin, ndaj s'e bëra."
Me gjithë situatën, qeveria indiane po refuzon ta izolojë vendin për shkak të ekonomisë, e cila u tkurr me 24 për qind nga izolimi i vitit të kaluar.
Mbi 40 shtete i kanë dërguar ndihma Indisë, bombola oksigjeni, maska mbrojtëse dhe teste të shpejta shoqëruar me medikamentet e duhura.
Franca iu bashkua të dielën duke dërguar 28 ton ndihma mjekësore.
"Ambasada jonë është transformuar këto 7 ditë. Diplomatët janë kthyer në menaxherë, në teknikë, në mbledhës fondesh. Francezët nuk e harrojnë se ishte India që vitin e kaluar ndihmoi spitalet tona kur kishim nevojë për ilaçe," tha ambasadori francez në Indi.
Janë mbi 215 mijë gjithsej që nuk i kanë mbijetuar virusit SARS-CoV-2 në Indi, bilanci i katërt më i lartë në botë pas SHBA-së, Brazilit dhe Meksikës.




