Qeveria parashikon se deficiti i Italisë do të bjerë në 3% këtë vit

Qeveria parashikon se deficiti i Italisë do të bjerë në 3%

Qeveria e kryeministres Giorgia Meloni pret që deficiti publik i Italisë të ulet në 3 për qind të PBB-së këtë vit falë të ardhurave nga taksat më të forta se sa pritej, duke i dhënë mundësi Romës të dalë nga procedura e deficitit eksesiv të BE-së një vit më herët nga sa ishte parashikuar.

Ndërsa ministri i financave Giancarlo Giorgetti kishte shprehur shpresa për një ecuri të tillë në komente publike së fundmi, Roma tani ka vlerësuar zyrtarisht se deficiti i vitit 2025 do të zbresë në 3 për qind, nga 3.3 për qind e PBB-së që kishte parashikuar më parë.

Parashikimi i fundit u përfshi në një dokument mbi planifikimin e financave publike që iu paraqit parlamentit italian të enjten në mbrëmje, si pjesë e përgatitjeve për hartimin e detajeve të buxhetit të ardhshëm.

Të ardhurat nga taksat në Itali midis janarit dhe korrikut u rritën me 5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke sjellë 16 miliardë euro shtesë në arkën e shtetit, një kërcim që ekonomistët thonë se pasqyron rritjen e fortë të punësimit dhe presionet inflacioniste.

Megjithatë, Komisioni Europian nuk do të vlerësojë nëse Italia ka mbetur brenda pragut të deficitit prej 3 për qind të BE-së deri në pranverën e vitit 2026, kur të jenë të disponueshme të dhënat e plota vjetore.

Italia hyri në procedurë në vitin 2024, gjë që mban një stigmë ekonomike dhe që mund të sjellë në fund sanksione financiare nga BE.

Nëse del nga procedura e deficitit të tepruar, ministria e financave tha se do të fillojë të përdorë fondet europiane, deri në 12 miliardë euro deri në vitin 2028, për investime në mbrojtje.

Megjithëse rënia e deficitit shihet si arsye për optimizëm, rritja ekonomike mbetet e dobët, pavarësisht injektimit masiv të fondeve europiane nga programi i rimëkëmbjes pas Covid-19, ku Italia është përfituesja më e madhe.

Në parashikimet e së enjtes, qeveria e Melonit vlerësoi se ekonomia italiane do të rritet vetëm me 0.5 për qind këtë vit, ndërsa eksportuesit po përballen me efektet e tarifave të presidentit amerikan Donald Trump.

Prirja ekonomike pritet të përmirësohet paksa vitet e ardhshme, me qeverinë që parashikon rritje të PBB-së me 0.7 për qind në vitin 2026, 0.8 për qind në vitin 2027 dhe 0.9 për qind në vitin 2028.

Edhe pse Italia dikur shihej si sinonim i shpenzimeve të pakontrolluara në Europë, qeveria e Melonit është lavdëruar për përpjekjet e saj në disiplinën fiskale, që kanë ndihmuar në uljen e ndjeshme të diferencës mes borxhit italian dhe atij gjerman, duke lehtësuar edhe kostot e huamarrjes për Romën.

Megjithatë, Francesco Giavazzi, që shërbeu si këshilltar ekonomik i ish-kryeministrit Mario Draghi, tha se përmirësimi i financave publike të Italisë është mundësuar nga presionet inflacioniste dhe ka ardhur në kurriz të fuqisë blerëse të shumë familjeve.

Inflacioni, sipas tij, bëri që shumë italianë të merrnin rritje pagash që më pas i futën në shkallë më të larta tatimore, duke sjellë atë që ai e quajti "rrëshqitje të pragut tatimor".

"Njerëzit po e paguajnë këtë sepse po paguajnë më shumë taksa," tha Giavazzi.

"Është një korrigjim fiskal i barabartë me atë që bëhet duke rritur taksat, por është i fshehur sepse njerëzit nuk e shohin.

Nuk është një ligj i miratuar në parlament, inflacioni e bën punën për ju."

Me pagat e tyre më të larta nominale, shumë italianë gjithashtu kanë humbur të drejtën për subvencione e përfitime të ndryshme për shtresat në nevojë, duke lehtësuar më tej presionin mbi financat publike, por duke rënduar mbi të ardhurat e familjeve.

"Një rritje e taksave nuk ndihmon rritjen ekonomike, prandaj nuk është për t'u habitur që rritja është vetëm 0.5 për qind," tha ai.

Në buxhetin e ardhshëm, qeveria e koalicionit të Melonit pritet të ulë normën e taksës për personat me të ardhura mes 28 mijë dhe 50 mijë eurove nga 35 për qind aktualisht në 33 për qind.

"Synojmë të rrisim kapacitetin shpenzues të familjeve, për të sjellë më shumë qetësi në buxhetet shtëpiake dhe për të nxitur konsumin e brendshëm," tha për Financial Times Marco Osnato, anëtar i partisë Vëllezërit e Italisë së Melonit dhe kryetar i komisionit parlamentar të financave. 

EMISIONET