Qeveria e re talibane/ Kryeministri i ndëshkuar nga OKB-ja, Ministri i Mbrojtjes, i shumëkërkuar nga FBI-ja

Talibani ka shpallur qeverinë e re, por vendosja në poste kyç e disa figurave të dyshimta, dhe krijimi i një kabineti vetëm me meshkuj, ka shqetësuar komunitetin ndërkombëtar.
Emrat u zbuluan të martën, tri javë pasi fundamentalistët korrën fitore kundër ushtrisë afgane dhe shtynë trupat e huaja larg vendit.
Si kryeministër në detyrë do të shërbejë Mullah Mohamad Hasan Akund, ish-ministër në kohën kur Talibani qeveriste në vitet 90 dhe person i ndëshkuar me sanksione nga OKB-ja si këshilltar i lartë politik i liderit të parë të Talibanit, i Mullah Mohamad Omarit.
Zëvendës i tij do të jetë bashkëthemeluesi i grupit, Abdul Gani Baradar, ndërsa më e kritikuar është vendosja e Siraxhudin Hakanit në postin e ministrit të Brendshëm, kur ai konsiderohet si themelues i një rrjeti terrorist të lidhur me Al-Kaeden dhe person i shumëkërkuar nga FBI-ja.
"Jemi të shqetësuar nga lidhjet dhe historiku i disa individëve. E kuptojmë që Talibani e ka paraqitur këtë si qeveri kujdestare, por ne do i gjykojmë ata nga veprimet, jo nga fjalët," reagoi zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit.
Presidenti turk Rexhep Taip Erdoan tha se edhe Ankaraja po i ndjek zhvillimet në Afganistan.
"Është e vështirë ta quash këtë një qeveri afatgjatë. Nuk e dimë sa të gjatë do e ketë jetën kabineti, por përgjegjësia jonë është ndjekja me kujdes e procesit."
Afganistani është anëtar i Kombeve të Bashkuara prej vitit 1946 dhe organizata tha të martën se u takon shteteve të veçanta ta njohin apo jo qeverinë e re, dhe të presin paqen e qëndrueshme në vend.
Përjashtimi i femrave nga kabineti, ndërkaq e ka vënë në pikëpyetje premtimet e Talibanit se do i mbrojë të drejtat e grave dhe vajzave afgane.
"Pjesëmarrja politike e grave është parakusht bazë për barazinë gjinore dhe demokracinë e vërtetë, ndaj përjashtimi i grave nga makineria e qeverisë së lidershipit taliban dërgon sinjalin e gabuar nëse synojnë një shoqëri gjithëpërfshirëse, të fortë dhe të begatë," deklaroi Pramila Paten, shefja e agjencisë së OKB-së që kujdeset për gratë.



