Putin mban konferencën e fundvitit, fajëson Perëndimin për frymë anti-ruse

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka mbajtur konferencën traditë të fundvitit, ku ka pasqyruar zhvillimin ekonomik dhe planet për të ardhmen e Rusisë. Tema që s’mund të mbetej jashtë fokusit të gazetarëve ishte konflikti me Ukrainën dhe rreziqet nga NATO dhe perëndimi.
Presidenti rus Vladimir Putin ne konferencën për shtyp të fundvitit, foli për aftësitë ushtarake dhe ekonomike të Rusisë, situatën e koronavirusit, kërcënimet nga NATO dhe Ukraina, si atyre që vijnë nga Perëndimi.
Ai ka renditur një sërë ankesash për Ukrainën dhe Aleancën Veri-Atlantike. Putin ka përmendur listën me kërkesa të zyrtarëve rusë, te publikuar më herët në muajin Dhjetor, përmes së cilës kërkon ndalimin e zgjerimit të mëtejshëm të NATO-s në lindje.
Putin ka akuzuar Perëndimin se ka krijuar sentiment anti-rus dhe ua ka “shpërlarë trurin qytetarëve”.
“Tani ata po na thonë ne luftë, luftë, luftë. Duket se ata po përgatisin një ofensivë (në lindje të Ukrainës) dhe po na paralajmërojnë ne që të mos iu dalim në rrugë ose do të ketë sanksione”, ka thënë shefi i Kremlinit .
Sa iu përket bisedimeve me SHBA-në, presidenti rus ka dhënë sinjale pozitive dhe se pas vitit të ri do të ketë një takim mes zyrtarëve të dy vendeve
I pyetur nga gazetarët se si e shpjegon valën e re të Covid-19, Putin është përgjigjur se s'ka asgjë për të fshehur dhe se do tregohet me shumë kujdes për variantin e ri.
Ai foli për ekuilibrin mes kufizimeve të vendosura për shkak të koronavirusit dhe nevojës për të shpëtuar ekonominë.
Presidenti rus ka thënë se inflacioni duhet të kthehet në 4 për qind, por Banka Qendrore nuk duhet të shtrëngojë politikën monetare dhe kreditore, në mënyrë që të mos gjendet në një situatë si ajo e Turqisë.
Kjo konference vjetore është një traditë e presidentit rus, që këtë herë zgjati mbi tre orë. Për shkak të pandemisë, gazetarët që morën pjese paraqitën tre teste negative anticovid.


