Propozimi amerikan për paqe në Ukrainë, Zelensky: Kievi dhe SHBA-të nuk kanë pikëpamje të unifikuar mbi planin

Propozimi amerikan për paqe në Ukrainë, Zelensky: Kievi dhe

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se negociatorët e përfshirë në diskutimin e planit amerikan të paqes mbeten të ndarë, veçanërisht mbi çështjet territoriale, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump shprehu pakënaqësi me mënyrën se si Kievi ka trajtuar propozimin amerikan.

Në një intervistë telefonike për Bloomberg, Zelensky tha se disa elementë të planit të SHBA-së kërkojnë “diskutim të mëtejshëm”, pasi prekin “çështje të ndjeshme”, si garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe kontrolli i rajoneve lindore të vendit, raporton The Independent.

“Nuk kemi qëndrim të përbashkët për Donbasin”

Sipas liderit ukrainas, bisedimet nuk kanë prodhuar ende marrëveshje mbi të ardhmen e Donbasit, që përfshin rajonet e Donetskut dhe Luhanskut.

“Ekzistojnë pikëpamjet e Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Ukrainës dhe ne nuk kemi një pikëpamje të vetme për Donbasin”, u shpreh Zelensky, duke nënvizuar se Kievi po kërkon një marrëveshje të veçantë për garancitë e sigurisë nga aleatët perëndimorë, sidomos nga SHBA.

Trump: Jam i zhgënjyer që Zelensky s’e ka lexuar ende propozimin

Komentet e Zelenskyt vijnë pasi Trump deklaroi se ishte “pak i zhgënjyer” që presidenti ukrainas “nuk e ka lexuar ende propozimin amerikan për paqe”, duke kontrastuar këtë kritikë me vlerësimet pozitive që ai dha për reagimin e Vladimir Putin ditët e fundit.

Zelensky iu përgjigj indirekt deklaratave të Trump duke thënë se: “Ekziston një pyetje për të cilën unë dhe të gjithë ukrainasit duam një përgjigje: nëse Rusia e fillon përsëri luftën, çfarë do të bëjnë partnerët tanë?”

Presidenti ukrainas dha këto komente ndërsa ishte duke udhëtuar për në Londër, ku pritet të takohet me kryeministrin britanik Keir Starmer, kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe presidentin francez Emmanuel Macron. Qëllimi i takimeve është diskutimi i detajuar i propozimit të SHBA-së dhe përpjekja për të gjetur një pozicion të përbashkët perëndimor.

EMISIONET