Prigozhin: Fitore të reja me grupin "Wagner", jam i sigurt se do t'i shihni në front

Yevgeny Prigozhin premtoi “fitore të reja në front në të ardhmen e afërt” për grupin e tij ”Wagner”, në mesazhin e parë audio të lëshuar pas një jave, ndërsa vendndodhja e tij ende nuk dihet.
Audioja, që zgjati rreth dyzet sekonda, u transmetua nga Gray Zone, por jo nga kanalet e tjera që zakonisht përdoren për të transmetuar mesazhet e Prigozhin, veçanërisht nga ai që konsiderohet zyrtar, Press-Sluzhba Prigozhina, që i përkiste kompanisë së tij ”Holding Concord”.
“Sot ne kemi nevojë për mbështetjen tuaj më shumë se kurrë. Faleminderit për këtë. Dua që të kuptoni se ‘Marshi ynë për Drejtësi’ kishte për qëllim luftimin e tradhtarëve dhe mobilizimin e shoqërisë sonë”, theksoi Prigozhin.
”Mendoj se kemi arritur shumë. Në të ardhmen e afërt jam i sigurt se do të shihni fitoret tona të radhës në front. Faleminderit djema!”, shtoi ai.

