Presidenti Putin dyfishon kërkesat për territorin ukrainas

Presidenti rus Vladimir Putin ka ashpërsuar qëndrimin e tij për përfundimin e luftës në Ukrainë, duke kërkuar që trupat ukrainase të tërhiqen nga të gjitha zonat që Moska i konsideron si territor të vetin.
Kërkesa përfshin gadishullin e Krimesë, që Rusia e aneksoi në vitin 2014, si edhe rajonin e Donbasit — Luhanskun dhe Donetskun — territore që forcat ruse i kontrollojnë pothuajse tërësisht në vijën e sotme të frontit.
Putin konfirmoi se Moska ka marrë një plan të ri paqeje, të hartuar në konsultim mes SHBA-së dhe Ukrainës, duke thënë se ai “mund të shërbejë si bazë për marrëveshje të mëtejshme”, edhe pse ende nuk ekziston një version përfundimtar.
“Ne e diskutuam zgjidhjen e konfliktit me negociatorët amerikanë para vizitës sime në Alaska. Lista me 28 pika u përgatit më pas. Në parim, pajtohemi që plani i mbështetur nga SHBA mund të përdoret si bazë, por nuk ka një dokument final”, u shpreh ai.
Në lidhje me mundësinë që Krimea dhe Donbasi të njihen de facto si pjesë e Rusisë, por jo de jure, Putin pranoi se kjo është një pikë kyçe në diskutimet me palën amerikane.
“Kjo është një nga temat qendrore që po diskutojmë me homologët tanë amerikanë”, deklaroi ai.
Ndërkohë, Putin njoftoi se javën e ardhshme në Moskë do të mbërrijë një delegacion amerikan i kryesuar nga i dërguari i posaçëm i Donald Trump, Steve Witkoff. Në të njëjtën kohë, Ukraina pritet të presë vizitën e Sekretarit të Ushtrisë së SHBA-së, në kuadër të diskutimeve të vazhdueshme për mbështetjen ushtarake dhe diplomatike.


