“Po fundosemi”/ "Boris" lë pas viktima, diga të çara dhe evakuime
Shira të rrëmbyeshëm, përmbytje spektakolare dhe vdekjeprurëse, evakuime me mijëra.
Stuhia ”Boris” po shkakton shkatërrime në Evropën Qendrore dhe Lindore dhe numri i të vdekurve është rritur në të paktën shtatë dhe disa rezultojnë të zhdukur.
Kjo stuhi shkaktoi dëme katastrofike dhe përmbytje në Çeki, Sllovaki, Poloni dhe Rumani.
Pas vdekjes së pesë personave në Rumani të shtunën, numri u rrit sot, me një person të mbytur në Poloni dhe një zjarrfikës të vdekur në Austri.
Përveç kësaj, katër persona janë të zhdukur në Çeki.
Imazhet mbresëlënëse të këtyre përmbytjeve të marra nga fotografët tregojnë lagje të tëra të përmbytura, rrugë të zhytura në ujë, banorë me ujë deri në sqetull në Rumani, diga rëre për të kufizuar rritjen e ujërave, njerëz që strehohen në një shkollë në Poloni.
Stuhia shkaktoi ndërprerje masive të energjisë elektrike, ndërprerje në rrjetin e transportit dhe evakuime masive të banorëve nëpër këto vende.
Në Rumani, shërbimet e urgjencës njoftuan të shtunën se kishin gjetur trupat e pesë personave gjatë një operacioni kërkimi në rajonin më të prekur, Galati (në juglindje), ku mijëra shtëpi janë prekur.
Ministria e Brendshme rumune raportoi “më shumë se 5 000 familje dhe më shumë se 15 000 njerëz të prekur në qarqet Galati dhe Vaslui”.
“Në verilindje të Austrisë, një zjarrfikës vdiq duke iu përgjigjur përmbytjeve”, thanë sot autoritetet rajonale.
Në qytetin polak të Glucholazy, në kufirin polako-çek, lumi i fryrë Biala Glucholaska kaloi mbi pritat, duke përmbytur qendrën e qytetit dhe lagjet buzë lumit.
– “Po fundosemi” –
“Jemi duke u fundosur”, deklaroi kryebashkiaku i Glucholazy për shtypin, duke u bërë thirrje banorëve të largohen nga zonat e kërcënuara nga përmbytjet.
Mijëra njerëz janë evakuuar dhe këto evakuime vazhdojnë në të dy anët e kufirit ku qindra mijëra shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike që nga mëngjesi i së dielës.
”Trafiku hekurudhor midis Polonisë dhe Çekisë është ndërprerë”, njoftoi agjencia PAP.
“Kemi vdekjen e parë të konfirmuar nga mbytja, në rajonin e Klodzkos”, tha të dielën në mëngjes kryeministri polak Donald Tusk, i cili që nga e shtuna po udhëton në jugperëndim të vendit, më i prekuri nga përmbytjet.
Në Çeki, policia raportoi katër persona të zhdukur: tre persona në një makinë që ra në një lumë në qytetin verilindor të Lipova-Lazne, dhe një burrë që u zhduk u përfshi nga një lumë i rrëmbyer.
Situata është veçanërisht e rëndë në verilindje të vendit ku një pjesë e madhe e qytetit të Opava është evakuuar për shkak të vërshimit të lumit Opava.
Në Poloni, qyteti i Ladek Zdroj mbeti pa akses rrugor dhe, në rajonin e Klodzkos, 1 600 njerëz u desh të evakuoheshin.
“Ne mendojmë se do të ketë më shumë evakuime”, tha Tusk, duke i bërë edhe një herë thirrje popullatës “të mos refuzojë evakuimin”.
Kryeministri polak njoftoi vendosjen e sistemeve të internetit satelitore ”Starlink” për të siguruar komunikimin në vendet që kanë mbetur të ndërprera.
Polonia dërgoi ushtrinë për të mbështetur zjarrfikësit dhe policinë në terren, të pajisur gjithashtu me pajisje të rënda, tha për shtypin Ministri i Mbrojtjes Wladyslaw Kosiniak-Kamysz.
Furnizuesit çekë të energjisë elektrike thanë të dielën në mëngjes se 260 000 shtëpi ishin pa energji elektrike për shkak të përmbytjeve.
Në Austri, trafiku hekurudhor është ndërprerë gjatë natës nga e shtuna në të dielën në një pjesë të vendit.
– Banorët e bllokuar –
Një linjë metroje në Vjenë është mbyllur pjesërisht, me rrjetin e kërcënuar nga lumi Wien dhe Kanali i Danubit që kalon nëpër kryeqytetin austriak.
Brenda tuneleve u ngritën diga rëre.
Rajoni i vendit më të prekur nga stuhia, Austria e Poshtme (në veri-lindje) është klasifikuar si zonë e fatkeqësive natyrore. Me 1,72 milionë banorë, është më i populluari në vend pas Vjenës.
“Hidrologët parashikojnë shira jashtëzakonisht të dendur në orët e ardhshme, deri në 60 milimetra,” paralajmëroi zëvendësguvernatori i saj Stephan Pernkopf.
Gati 5 000 ndërhyrje u bënë gjatë natës në Austrinë e Poshtme, ku banorët aktualisht janë të bllokuar në shtëpitë e tyre.
Përmbytjet e lidhura me shirat e dendur pritet të rriten në Evropën Qendrore dhe Perëndimore në një botë që përballet me ngrohjen mesatare prej 1,5°C, thanë ekspertët e klimës së IPCC në një raport të vitit 2022.
Bota konsiderohet tashmë të paktën 1,2°C më e ngrohtë.
Diga çahet në Poloni dhe Republikën Çeke
Një digë në Poloninë jugperëndimore, në jug të qytetit Kłodzko, u ça të shtunën vonë, pavarësisht përpjekjeve për të kulluar ujin dhe për të parandaluar valën, duke përkeqësuar ndikimin e përmbytjeve në zonë.
Komuna e Silesisë së Poshtme Bystrzyca Kłodzka tha se diga në Miedzygórze ishte tejmbushur.
Autoriteti Rajonal i Menaxhimit të Ujit në qytetin e Wrocław e quajti situatën kritike, duke nxitur evakuime nga fshatrat.
Diga, e ndërtuar në fillim të shekullit XX, është 29 metra e lartë. Rezervuari i tij i kontrollit të përmbytjeve mund të mbajë pothuajse një milion metra kub ujë.
Që nga mëngjesi i së premtes, më shumë shi ka rënë në Poloninë jugperëndimore sesa gjatë të ashtuquajturës përmbytje të mijëvjeçarit të vitit 1997 dhe niveli i alarmit është tejkaluar në 47 stacione matëse në të gjithë vendin.