Plot 1.4 ton kokainë në dy kontejnerë me banane. Ngarkesa e destinuar për në Belgjikë

Në të njëjtën kohë me operacionin e europolit që arrestoi 45 shqiptarë të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, policia kolumbiane ka sekuestruar 1.4 ton kokainë në dy kontejnerë me banane. Ngarkesa do të nisej drejt portit të Anversës në Belgjikë, ku u zhvillua më 15 shkurt operacioni i europolit i koduar “Shqiponja e Zezë”. Sipas mediave lënda narkotike I përkiste një grupi të njohur si karteli i Ballkanit.
Një ngarkesë prej 1.4 ton kokainë është sekuestruar në portin e Santa Marias në Kolumbi para nisjes së dy kontejnerëve për portin e Anversës në Belgjikë.
Lajmi është bërë publik nga mediat vendase por edhe nga gazetat belge të cilat e raportojnë këtë ngjarje një ditë pas aksionit të europolit që arrestoi të martën 45 persona të akuzuar për trafik narkotikësh.
Dërgesa e kokainës e vendosur në 1400 pako drejtkëndore të cilat në ambalazhin e tyre kishin mbishkrime dhe kode numerike, do të mbërrinte pikërisht në portin nga ku kalonte droga që trafikohej prej rrjetit me 45 anëtarë të cilët ranë në pranga gjatë aksionit të koduar me emrin “Shqiponja e Zezë”.
Policia kolumbiane ka pasur një sinjalizim për dy kontejnerët me banane ku ishte fshehur kokaina dhe menjëherë I ka kontrolluar ato duke gjetur pakot e drogës e cila në treg kap vlerën e 50 milionë dollarëve.
Mediat kolumbiane shkruajnë se ngarkesa e kokainës zotërohej nga banda Los Pachenca, dhe po trafikohej për llogari të organizatës së njohur si karteli i Ballkanit. Destinacioni final I kokainës ishte tregu I konsumit të Mbretërisë së Bashkuar, Spanjës dhe Italisë. Europoli njoftoi dy ditë më parë arrestimin e 45 të dyshuarve, anëtarë të një bande shqipfolëse që do të kishte lidhje me krimin e organizuar në Amerikën Latine dhe Europën Jugore.
Gjithashtu në Anversë, qytetin e portit ku do të mbërrinte kokaina, dhjetëra hetues kontrolluan banesat e familjeve shqiptare. Pjesë e kontrolleve ishin edhe një dyqan veshjesh dhe disa pika të shitjes së automjeteve të administruara nga një grua shqiptare.
Gazeta belge PZC shkruan se 39-vjeçari shqiptar Bledar Muça u qëllua për vdekje disa javë më parë në këtë zonë. Të arrestuarit e operacionit të europolit nuk janë të akuzuar për vrasjen tani për tani por po hetohen për mundësinë e implikimit në këtë krim.
Në fundjavë kryebashkiaku i Antverpit kërkoi që kontejnerët e frutave nga Amerika e Jugut të skanohen në masën 100% kur të mbërrijnë në portin e qytetit për shkak të rasteve të shumta të zbulimit të kokainës që janë kthyer në problem për policinë.


