Peskov: Rusia nuk do t’i përmbahet më moratoriumit për raketat me rreze të mesme veprimi

Rusia tha sot se nuk do të vendoste më kufizime se ku do të dislokohen raketat me rreze të mesme veprimi që mund të mbajnë koka bërthamore, sipas “Reuters”.
Një ditë pasi Rusia tha se po hiqte atë që e quajti – një moratorium të njëanshëm për vendosjen e raketave me rreze të mesme veprimi – zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se kjo ishte një përgjigje e detyruar ndaj lëvizjeve të SHBA-së dhe aleatëve të saj.
“Rusia nuk ka më kufizime për këtë çështje, Rusia nuk e konsideron më veten të kufizuar nga asgjë”, tha Peskov.
“Rusia e konsideron veten të drejtë, nëse është e nevojshme, të marrë masa të përshtatshme, të ndërmarrë hapa të përshtatshëm”, shtoi ai.
Analistët perëndimorë të sigurisë thanë se “moratoriumi”, në fakt, kishte vdekur prej kohësh – nëse kishte ekzistuar ndonjëherë – por njoftimi rus ishte menduar si një sinjal agresiv ndaj Perëndimit – në një kohë tensioni të lartë për shkak të luftës në Ukrainë.
“Kjo i dërgon një mesazh Evropës: mos harroni se i kemi këto raketa”, tha Nikolai Sokov, një ish-negociator sovjetik dhe rus për kontrollin e armëve.
“E gjithë ideja është që evropianët të mendojnë më shumë për atë që po planifikojnë të bëjnë, ose t’i qetësojmë paksa”, shtoi ai.
Sokov tha se njoftimi i Rusisë ishte një formalitet duke pasur parasysh vendosjen e një rakete të re hipersonike me rreze të mesme veprimi të quajtur “Oreshnik”, të cilën e testoi në Ukrainë nëntorin e kaluar.
Presidenti Vladimir Putin tha javën e kaluar se “Oreshnik” kishte hyrë në prodhim dhe ishte dorëzuar në forcat e armatosura.
Putin tha gjithashtu, se “Oreshnik” do te dislokohej edhe në Bjellorusi, një aleat i Rusisë që kufizohet me tre vende të NATO-s. Analistët ushtarakë thanë se mund të qëllohet me koka luftarake konvencionale ose bërthamore.

