Përshkallëzohet retorika SHBA – Rusi për rajonet e pushtuara në Ukrainë
Rajonet e pushtuara që po zhvillojnë referendume për pavarësi nga Ukraina mund të kthehen në front beteje të ashpër, deri edhe në përdorim armësh bërthamore. Kërcënimi bërthamor është më afër se kurrë, kur retorika mes amerikanëve dhe rusëve është në nivlet më të larta të mundshme.
Rajonet e pushtuara nga Rusia në luftën në Ukrainë, që janë drejtuar edhe tek kutitë e votimit për referendume pavarësie, mund të kthehen në vatra të nxehta tensioni mes Perëndimit dhe Rusisë.
Rreziku i përshkallëzimit në përplasje atomike është më i afërt se kurrë.
Vetë Kremlini ka thënë se do të përdorë armët atomike nëse ka kërcënime ekzistenciale, shprehje që do ta saktësonte ministri i Jashtëm Lavrov në OKB kur tha se legjislacioni dhe doktrinat ushtarake ruse do të zbatohen në territoret e reja, sepse ato mbrohen nga kushtetuta dhe shteti rus kur bëhen pjesë e Federatës.
Ndërkohë, amerikanët paralajmëruan Moskën për "pasoja katastrofike" nëse përdor armë bërthamore në Ukrainë. Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan tha se Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen ndaj çdo përdorimi rus të armëve bërthamore kundër Ukrainës.
“Nëse Rusia kalon këtë vijë, do të ketë pasoja katastrofike për Rusinë”, tha Sullivan. "Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen me vendosmëri."
Ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare kanë paralajmëruar që konflikti në Ukrainë të mos përshkallëzohet në konflikt mes amerikanëve dhe rusëve. Analistë të ndryshëm, mes të cilëve dhe diplomati Henry Kissinger, kanë paralamëruar muaj më parë kundër një përshkallëzimi dhe zgjatjeje të luftës, ku konflikti Ukrainë-Rusi mund kthehet në konflikt midis Rusisë dhe vendeve të NATO.