Përplasje e fortë mes Presidentit të Argjentinës dhe Zëvendëspresidentes për rritjen e pensioneve

Përplasje e fortë mes Presidentit të Argjentinës dhe

Presidenti i Argjentinës, Javier Milei, dhe zëvendëspresidentja e tij, Victoria Villarruel, janë përfshirë në një përplasje të ashpër publike pas miratimit nga Senati të një mocioni për rritjen e pensioneve dhe ndihmave për personat me aftësi të kufizuara – një lëvizje që Milei e ka kundërshtuar ashpër.

I zemëruar nga rezultati në Kongres, presidenti postoi në rrjetin social X, duke e quajtur Villarruelin “tradhtare” dhe “budallaqe”, ndërsa ajo iu përgjigj duke i kërkuar “të sillet si i rritur”.

Tensionet u ndezën kur Senati, nën drejtimin e Villarruel – e cila në rolin e saj është gjithashtu presidente e Senatit – lejoi që debatet mbi rritjen e pensioneve të vazhdonin edhe pse senatorët proqeveritarë bojkotuan seancën.

Mocioni kaloi me 52 vota pro dhe vetëm katër abstenime.

Sipas presidentit Milei, kjo lëvizje kërcënon seriozisht përpjekjet për të ruajtur suficitin fiskal, një nga arritjet kryesore të tij në vitin 2024.

Pas miratimit të projektligjit, Milei deklaroi se do të vendosë veton dhe, nëse ajo rrëzohet, do ta çojë çështjen në gjykatë.

Ai akuzoi drejtpërdrejt Villarruel për lejimin e votimit dhe për dëm ekonomik ndaj agjendës së tij të ashpër financiare.

Ndërkohë, Villarruel u mbrojt duke thënë se pensionistët dhe personat me aftësi të kufizuara “nuk mund të presin më” për ndihmë, duke i sugjeruar presidentit që të kursejë nga shpenzimet për inteligjencën dhe udhëtimet e tij jashtë vendit.

Milei është kritikuar për udhëtimet e shpeshta, përfshirë një vizitë të profilit të lartë ku i dhuroi Elon Musk një sharrë me zinxhir – simbol i politikave të tij shtrënguese.

Ndërkohë, jashtë Kongresit, protestat e pensionistëve janë shpeshtuar, duke çuar deri në përplasje me policinë.

Ndërsa vendi përballet me presion të fortë social dhe tensione politike brenda vetë ekzekutivit, përplasja mes Mileit dhe Villarruel ka nxjerrë në pah përçarjet e thella në qeverinë argjentinase dhe sfidat e zbatimit të reformave radikale ekonomike.

EMISIONET