Përmbyset anija në Tunizi, shpëtohen 78 emigrantë, humb jetën 1 person

Një person ka humbur jetën, një është zhdukur dhe 78 emigrantë të tjerë u shpëtuan në brigjet juglindore të Tunizisë pas fundosjes së anijes.
“Njësitë e marinës shpëtuan 78 emigrantë këtë mëngjes”, tha ministria e Mbrojtjes.
Sipas asaj që kanë raportuar mediat e huaja, emigrantët që po udhëtonin me anije ishin nga Egjipti, Bangladeshi, Pakistani, Sudani, Guinea dhe Gana.
Ekipet e shpëtimit i dërguan në portin e El Ketef në zonën Ben Gerdan, duke pritur që t’u gjendej një godinë për strehim.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, emigrantët, të moshës nga 12 deri në 45 vjeç, u larguan nga Bokmas, pranë Zouara, në veriperëndim të Libisë, natën e 14-15 dhjetorit.
Anija në të cilën ata ishin u dëmtua dhe u përmbys 20 km nga Ras Jedir, në Tunizinë juglindore.

