'Pentagon Pizza Meter'/ Teoria e picave që po bëhet virale: A mund të paralajmërojnë picat një krizë globale?

Një teori që daton që nga koha e Luftës së Ftohtë po fiton popullaritet të ri në internet, me meme dhe postime që po përhapen me shpejtësi. Por çfarë është “Pentagon Pizza Meter”?
Sipas kësaj teorie, nëse pranë Pentagonit ka rritje të papritur të porosive për picë, kjo mund të jetë shenjë se një krizë gjeopolitike po afrohet.
Kjo është thelbi i asaj që tashmë njihet si teoria e “matësit të picave të Pentagonit”.
Kjo tezë e çuditshme, por intriguese, u bë popullore nga faqja The Takeout, dhe që nga viti i kaluar është rikthyer fuqishëm në rrjetet sociale.
Ideja është e thjeshtë: kur zyrtarët e Pentagonit apo të Departamentit të Mbrojtjes janë shumë të zënë për të lënë zyrat e tyre, ata porosisin picë – një alternativë e shpejtë për të ngrënë pa u larguar nga detyra.
Nëse porositë rriten ndjeshëm, mund të nënkuptojë se diçka e rëndësishme po ndodh pas dyerve të mbyllura.
Kjo teori ka rrënjë që në Luftën e Ftohtë, kur shërbimet sekrete sovjetike dyshohet se monitoronin lëvizjet e shpërndarësve të picave për të vlerësuar nivelin e alarmit në strukturat amerikane.
Më 1 gusht 1990, Frank Meeks, një sipërmarrës i njohur i Domino’s në Uashington, vuri re një rritje të menjëhershme të porosive drejt godinave të CIA-s – pikërisht në prag të pushtimit të Kuvajtit nga Iraku, që shënoi fillimin e Luftës së Gjirit.
Ajo që fillimisht u duk si rastësi, me kalimin e viteve nisi të shihej si një model i përsëritur. Meeks rrëfeu për Los Angeles Times se një situatë e ngjashme ndodhi në dhjetor 1998, gjatë seancave të shkarkimit ndaj Presidentit Bill Clinton.
Në epokën e rrjeteve sociale, teoria është ringjallur nga përdorues të rrjeteve si X (ish-Twitter), të cilët analizojnë në kohë reale lëvizjet pranë Pentagonit për të zbuluar ndonjë rritje të pazakontë në porositë e picave.
Dhe nuk është rastësi që më 13 prill 2024, pati një rritje të pazakontë porosish jo vetëm nga Pentagonit, por edhe nga Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Mbrojtjes – në të njëjtën ditë kur Irani nisi sulme me dronë ndaj territorit izraelit.
Teoria u shndërrua shpejt në një meme, me përdorues që postonin pamje nga Google Maps duke treguar aktivitet të shtuar në pizzeritë e Uashingtonit – sidomos te një degë e Papa John’s.
Llogaria @PenPizzaReport në X ka marrë përsipër detyrën e vështirë për të monitoruar në kohë reale aktivitetin e pizzerive pranë Pentagonit.
Këtë javë, më 1 qershor 2025, kjo llogari shkruante: “Me më pak se një orë nga mbyllja, Domino’s më afër Pentagonit po përjeton fluks të pazakontë klientësh.” Vetëm pak orë më vonë, tensionet mes Izraelit dhe Iranit u përshkallëzuan.
A mund të parashikojnë picat një luftë? Apo të përdoren për të vlerësuar përfshirjen e SHBA në krizat globale?
Nuk ka ende ndonjë provë të qartë që e mbështet këtë ide – dhe padyshim nuk është një metodë e besueshme analize – por mbetet një mënyrë “e shijshme” për të lexuar zhvillimet.
Siç raportonte gazetari i CNN, Wolf Blitzer, në vitin 1990: “Për gazetarët: gjithmonë monitoroni picat.”
Ndoshta një shaka. Por ndoshta Pentagonit i duhet të ndryshojë menynë.

