Pasi pranoi kërkesën e Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim, amerikanët i heqin “veton” Turqisë
Turqit kanë fituar edhe simpatinë e amerikanëve me heqjen e vetos për zgjerimin e NATO-s. Ndërsa turqit kanë zhbllokuar procesin e zgjerimit me Finlandën dhe Suedinë, amerikanët janë duke parë që të lënë mënjanë mëritë për blerjen e sistemit raketor rus, duke dërguar në Turqi 40 avionë luftarakë F-16.

Turqit kanë hequr veton e tyre për zgjerimin e aleancës ushtarake të NATO-s, dhe në këmbim ngjan se kanë marrë edhe një shkelje syri nga amerikanët që ata të heqin veton e tyre për armatim ndaj Turqisë.
Administrata Biden mbështet shitjen e mundshme të avionëve luftarakë amerikanë F-16 në Turqi, tha Celeste Wallander, Ndihmës Sekretarja për Mbrojtjen në Pentagon. Ajo tha përpara medieve se aftësitë e forta të mbrojtjes turke do të përforconin mbrojtjen e përbashkët të NATO-s.
"Shtetet e Bashkuara mbështesin modernizimin e flotës luftarake turke, sepse është një kontribut për sigurinë e NATO-s dhe për rrjedhojë sigurinë amerikane," tha ajo.
Turqia dhe Amerika kanë pasur retorikë të fortë pasi Turqia pranoi të blinte një sistem raketor të rëndësishëm rus, që solli edhe reagim amerikan duke bllokuar shumë kontrata me aleatin në NATO.
Turqit i bënë kërkesë amerikanëve në tetor për të blerë 40 avionë F-16 të prodhuar nga Lockheed Martin dhe gati 80 pajisje të rëndësishme aviatorësh për të modernizuar flotën e saj ekzistues.
Uashingtoni nuk kishte shprehur më parë hapur ndonjë opinion mbi shitjen, përveçse tha se të gjitha shitjet e armëve do të duhej të kalonin përmes procesit të nevojshëm ligjor.
Senatori republikan Lindsey Graham deklaroi mbështetjen e tij për këtë veprim të administratës demokrate.
"Unë mbështes vendimin e administratës Biden për të mbështetur shitjen e F-16 të rinj aleatit tonë të NATO-s, Turqisë," shkroi Graham.
Me përmirësimin e aftësisë së aviacionit turk do të përfitojë Turqia, SHBA-ja, NATO dhe siguria rajonale, tha senatori.

