Panik në Denver/ Avioni g*det një person në pistë, shpërthen zjarr në motor
Viktima hyri në pistë pasi kapërceu gardhin e sigurisë. Pas përplasjes shpërtheu zjarr në motorin e avionit. 224 pasagjerë u evakuuan me rrëshqitëse emergjente

Një person humbi jetën pasi u godit nga një avion i Frontier Airlines në pistën e aeroportit të Denverit. Incidenti shkaktoi zjarr në motor dhe evakuimin e të gjithë pasagjerëve.
Një person humbi jetën pasi u përplas nga një avion i Frontier Airlines në pistën e Denver International Airport në Shtetet e Bashkuara. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së premtes, pak çaste pasi personi kishte kaluar gardhin e sigurisë dhe kishte hyrë në pistën e aeroportit.
Sipas autoriteteve, avioni Airbus A321 po nisej drejt Los Angeles rreth orës 23:00 me orën lokale, kur goditi personin që ndodhej në pistë. Në regjistrimet audio të kontrollit ajror dëgjohet piloti që njofton kullën e kontrollit se avioni kishte goditur një person dhe se kishte shpërthyer zjarr në motor.
Pas incidentit, në kabinën e avionit u raportua tym, ndërsa ekuipazhi ndërpreu menjëherë ngritjen. Të 224 pasagjerët dhe shtatë anëtarët e ekuipazhit u evakuuan përmes rrëshqitëseve emergjente si masë sigurie. Sipas aeroportit, 12 persona pësuan lëndime të lehta gjatë evakuimit, ndërsa pesë prej tyre u transportuan në spital për trajtim mjekësor.
Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, deklaroi se personi kishte hyrë qëllimisht në pistë pasi kishte kapërcyer gardhin rrethues të aeroportit vetëm pak minuta para përplasjes. Autoritetet sqaruan se ai nuk ishte punonjës i aeroportit dhe se sistemi i sigurisë në perimetër rezultonte i paprekur.
Pasagjerët përshkruan momente paniku pas shpërthimit të zjarrit në motor. Një prej tyre deklaroi për mediat amerikane se mendoi se avioni do të përfshihej nga flakët.

