OBSH: Europa rrezikohet nga një valë e re pandemie

OBSH: Europa rrezikohet nga një valë e re pandemie

"Ka marrë fund rënia 10-javore e rasteve në 53 shtete të rajonit europian"

Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se pas dy muajsh rënieje, Europa ka nisur sërish të raportojë rritet të numrit të rasteve me COVID-19. Faktorët për këtë mendohet të jenë variantet e reja të koronavirusit por edhe masat më të lehta kufizuese prej pandemisë.

Europa po rrezikohet nga një valë e re pandemie pas dy muajsh bilanci pozitiv prej Covidit-19.

Organizata Botërore e Shëndetësisë informoi të enjten se shumica e vendeve të kontinentit po raportojnë raste të reja infektimi menjëherë pas lehtësimit të dukshëm të masave antiCovid.

"Ka marrë fund rënia 10-javore e numrit të rasteve me Covid-19 në 53 shtete të rajonit europian. Javën e kaluar pati rritje 10 për qind si pasojë e miksimit, udhëtimeve, takimeve dhe lehtësimit të kufizimeve sociale."

Problemi kryesor që has Europa është përhapja e mutacionit "Delta" të koronavirusit, që është më infektues dhe më rezistent ndaj vaksinave.

Britania raportoi një ditë më parë 26 mijë raste të reja me Covid, mbi 670 vdekje të tjera regjistroi Rusia ndërsa Portugalia dhe Spanja po shënojë rekorde ditore pas përmirësimit në fillim të vitit.

Zyrtarët e OBSH-së mendojnë se po tregohet njëfarë shkujdesjeje edhe në menaxhimin e publikut që ndjek ndeshjet e futbollit europian.

"Për momentin kemi një turne sportiv kryesor dhe shohim imazhe të stadiumeve. Duhet të shohim përtej tyre, se si njerëzit mbërrijnë në stadium, çfarë masash ndjekin individualisht dhe çfarë ndodh kur largohen nga stadiumet."

Sipas autoriteteve europiane, varianti "Delta" i koronavirusit pritet të përbëjë rreth 90 për qind të rasteve të reja në Bashkimin Europian.

Rajoni i Europës ka vaksinuar vetëm rreth 24 për qind të popullatës, ndërkohë që gjysma e të moshuarve dhe 40 për qind e punonjësve në sektorin shëndetësor, nuk janë imunizuar.

EMISIONET