“Nuk flasin e nuk lëvizin më” , efektet e internetit te fisi indigjen në Amazonë
Elon Musk dërgoi internetin në Amazonë, në një territor që kishte mbetur i izoluar nga pjesa tjetër e botës për shekuj me radhë. Tashmë, disa muaj më vonë nga momenti kur jeta e tyre ndryshoi, duket se teknologjia ka revolucionarizuar zakonet dhe shoqërinë e fisit Marubo.
Një nga të moshuarit e fshatit, Tsainama Marubo, 73 vjeç thotë: "Janë të gjithë aty, të përqendruar në celularët e tyre. Nga këto ekrane u hap një botë e panjohur për ne. Si biseda me të dashurit e largët dhe mundësia për të kërkuar ndihmë në rast urgjence. Por gjërat janë përkeqësuar tani. Ata janë bërë dembelë. Nuk flasin, nuk punojnë, nuk lëvizin, janë si të trullosur. Shfletojnë për orë të tëra të zhytur në një koma të frikshme".
Ky zhvillim i ka lejuar fisit Marubo të njohë botën, por nga ana tjetër, ka futur popullatën në grupe bisedash plot me thashetheme, videolojëra të dhunshme, mashtrime në internet, dezinformata, pornografi etj. Megjithatë, vendasit janë të bindur se do ta kapërcejnë këtë çoroditje të momentit dhe do të mundohen të marrin më të mirën nga ky zhvillim.