Norvegjia krah Ukrainës/ Jep 400 milionë euro ndihmë për energjinë dhe infrastrukturën ukrainase

Norvegjia do t’i japë Ukrainës 400 milionë euro ndihmë emergjente për sektorin e energjisë, në mënyrë që tu garantohet furnizimi me energji elektrike dhe funksionim të shërbimeve kritike gjatë dimrit.
Vendimi vjen në një moment kur sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase janë shtuar ndjeshëm, duke lënë miliona qytetarë në rrezik nga ndërprerjet e energjisë.
Kjo ndihmë është pjesë e paketës së gjerë të mbështetjes që Norvegjia ka miratuar për Ukrainën deri në vitin 2026.
Parlamenti norvegjez ka miratuar gjithsej 85 miliardë krona ndihmë, nga të cilat 70 miliardë janë për mbështetje ushtarake dhe 15 miliardë për ndihmë civile, politike dhe humanitare.
Nga fondet civile, 4.8 miliardë krona janë ndarë për sektorin e energjisë, 4 miliardë për mbështetje buxhetore dhe rindërtim, ndërsa 3.5 miliardë për ndihmë humanitare.
Pjesa tjetër e fondeve do të shkojë për zhvillimin e biznesit, shoqërinë civile dhe reformat qeverisëse, si dhe për mbështetje ndaj Moldavisë.
Ndërkohë, vendet evropiane vijojnë të rrisin ndihmën për Ukrainën.
Së fundmi, Bashkimi Evropian ka rënë dakord për një kredi prej 90 miliardë eurosh për të ndihmuar Kievin të përballojë pasojat e luftës dhe të ruajë stabilitetin ekonomik dhe energjetik.

