Nis sot samiti BE-CELAC ndërsa veprimet ushtarake të SHBA-së shkaktojnë shqetësim

Udhëheqësit nga Bashkimi Evropian dhe Komuniteti i Shteteve të Amerikës Latine dhe Karaibeve (CELAC) do të mbidhen sot në Kolumbi për samitin e tyre të katërt, që synon forcimin e bashkëpunimit mbi energjinë, ndryshimet klimatike dhe sigurinë ndërkombëtare.
Midis atyre që do të marrin pjesë në bisedimet dyditore në qytetin bregdetar të Santa Martës janë presidenti brazilian, Luiz Inacio Lula da Silva, shefja e politikës së jashtme të BE-së Kaja Kallas dhe kryeministri spanjoll Pedro Sanchez.
Së bashku, BE-ja dhe CELAC përfaqësojnë më shumë se 1 miliard njerëz, që përbëjnë 14% të popullsisë së botës dhe 21% të prodhimit ekonomik global.
Megjithatë, lista e të ftuarve të takimit është dukshëm e ngushtë. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen nuk do të marrë pjesë, ashtu si edhe udhëheqësit e Gjermanisë, Francës, Meksikës, Argjentinës dhe Kilit.
Presidenti kolumbian, Gustavo Petro, organizatori i takimit, planifikon të ngrejë çështjen e sulmeve vdekjeprurëse ushtarake amerikane kundër anijeve të dyshuara për kontrabandë të lëndëve narkotike në Karaibe.
Forcat amerikane kanë fundosur vazhdimisht anije me shpejtësi të lartë që dyshohet se janë përdorur nga trafikantët në javët e fundit pranë brigjeve të Venezuelës.
Prania në rritje e ushtrisë amerikane në rajon ka nxitur shqetësimin se administrata Trump mund të jetë duke përgatitur terrenin për një operacion që synon të largojë nga pushteti qeverinë autoritare të presidentit venezuelan, Nicolas Maduro.

