Nis rusizimi i jugut të Ukrainës/ Autoritetet ruse në Kherson i kërkojnë Putinit t’i aneksojnë pa referendum

Autoritetet ruse në rajonin jugor të Ukrainës, Kherson do t’i luten presidentit Putin që t’i aneksojë pa bërë referendum apo shpikur një të ashtuquajtur republikë popullore si në Donbas. Kremlini shprehet se vendimi i takon popullit, duke nënkuptuar skenarin e Krimesë.
Autoritetet e Khersonit në Ukrainë do t’i kërkojnë presidentit Vladimir Putin bashkimin e rajonit ukrainas me Rusinë.
Sipas raportimeve, udhëheqësit pro-rusë të Kersonit thonë se nuk do të krijojnë një të ashtuquajtur republikë popullore, njësoj si në Llugansk dhe Donjeck apo të mbajnë ndonjë referendum si në Krime, por do t’i luten Kremlinit për ta bashkuar rajonin direkt me Rusinë.
Liderët rus të rajonit të pushtuar u zotuan gjithashtu që rajoni ta transferojë të gjithë legjislacionin në atë rus deri në fund të vitit.
Në Kerson që nga 1 maji bizneset dhe administrata paguajnë me monedhën ruse, e në fund të këtij muaji, atje do të funksionojnë banka për qarkullimin e rublës, e cila në të ardhmen do të integrohet në sistemin bankar rus.
Zëdhënësi i presidentit Putin, Dmitri Peskov në një reagim për dëshirat e autoriteteve të Kersonit, tha se një vendim i tillë duhet t’u përkasë njerëzve, duke nënkuptuar skenarin e Krimesë në vitin 2014, përmes referendumit që i dha të drejtën Moskë të aneksonte gadishullin jugor të Ukrainës.
Ushtria ruse pushtoi rajonin e Kersonit dhe atë të Zaporizhias duke formuar administrata civile-ushtarake jo shumë ditë pasi nisi i ashtuquajturi operacion special.


