"NATO-BE, më shumë armë", Firmoset në Bruksel deklarata për sigurinë euroatlantike dhe të Evropës

Bashkimi Europian do të rrisë prodhimin e armatimit në bashkëpunim me NATO-n. Paralajmërimi vjen nga shefja e komisionit eruopian Ursula Fon der leyen pas firmosjes së deklaratës së tretë NATO-BE . Edhe Stoltenberg, tha se është e nevojshme të prodhohen armë dhe municione, për shkak se furnizimet me to janë pakësuar për shkak të ndihmës ushtarake për Ukrainën.

"NATO-BE, më shumë armë", Firmoset në Bruksel

Stoltenberg tha se deklarata e tretë e NATO-s dhe BE-së, është më e rëndësishme se kurrë më parë, duke pasur parasysh sfidat me të cilat përballet aleanca ushtarake perëndimore, veçmas pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës. Shefi i NATO-s bëri thirrje që të ruhet uniteti i botës së lirë demokratike karshi kërcënimeve të Moskës.

"Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, deshi ta pushtojë Ukrainën për disa ditë dhe të na ndajë ne. Në të dyja këto dështoi. Duhet të vazhdojmë të forcojmë sigurinë euroatlantike dhe sigurinë e Evropës," tha ai.

Përveç Rusisë,  Stoltenberg përmendi edhe Kinën si sfidë për sigurinë. Ndërkaq, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se NATO dhe BE janë rritur paralelisht dhe kanë plotësuar njëra-tjetrën përgjatë historisë. Aktualisht, nga 27 shtetet anëtare të bllokut evropian, 21 janë anëtare të NATO-s. Ky numër pritet të arrijë në 23 pasi Finlanda dhe Suedia të hyjnë në aleancë.

 “Putin deshi më pak NATO, por e arriti të kundërtën. Tani kemi më shumë NATO dhe më shumë BE. Po e përshpejtojmë edhe procesin e zgjerimit drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor,” tha ai.

Michel, paralajmëroi më shumë investime në mbrojtje dhe vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se sfidat dhe kërcënimet e përbashkëta nuk vijnë vetëm nga Rusia.

 “Kërcënimi i Rusisë është më i afërmi, por jo i vetmi kërcënim për aleancën tonë. Duhet të kemi rezistencë edhe ndaj qëllimeve të Kinës që synojnë të vënë në dyshim sigurinë dhe stabilitetin tonë,” tha ajo.

 Von der Leyen tha se në të ardhmen, BE-ja dhe NATO-ja do të angazhohen në luftimin e ndërhyrjeve nga jashtë dhe manipulimeve të informacionit.

Ajo paralajmëroi se do të vazhdojë ndihma për Ukrainën dhe theksoi se blloku do të vendosë sanksione të reja ndaj Rusisë, por edhe ndaj Bjellorusisë – aleates së Putinit – për rolin që ka në luftën kundër Ukrainës.

EMISIONET