Moska: Samiti i paqes në Ukrainë arriti ‘zero’ rezultate

Moska: Samiti i paqes në Ukrainë arriti ‘zero’ rezultate

Samiti i paqes në Ukrainë në Zvicër gjatë fundjavës nuk arriti asnjë rezultat, tha sot zëdhënësi zyrtar i presidentit rus Vladimir Putin, në Moskë. Gjithsej 93 shtete dhe organizata ndërkombëtare morën pjesë në bisedimet pranë Lucernit.

Një shumicë e madhe mbështeti deklaratën përfundimtare që theksonte sovranitetin e Ukrainës brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht.

“Nëse dikush flet për rezultatet e këtij takimi, atëherë ato priren natyrshëm drejt zeros”, tha zëdhënësi Dmitri Peskov. “Moska nuk u shqetësua nga vendimi i disa shteteteve ‘normalisht miqësore’ për të votuar deklaratën përfundimtare”, tha ai.

“Ne sigurisht do të marrim parasysh qëndrimin që kanë mbajtur këto vende. Është e rëndësishme për ne. Ne do të vazhdojmë t’u shpjegojmë argumentet tona”, tha Peskov.

Sipas deklaratës përfundimtare, centrali ukrainas bërthamor në Zaporizhia, i cili është i pushtuar nga Rusia, duhet të jetë nën kontrollin e Ukrainës. Rusia nuk u ftua në samit dhe Kina nuk pranoi të marrë pjesë.

Vendet e mëdha që morën pjesë nuk e nënshkruan deklaratën përfundimtare, duke përfshirë Brazilin, Indinë, Indonezinë dhe Afrikën e Jugut.

“Peskov tha se propozimet e paqes të Putinit mbeten në tryezën e diskutimeve”, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve ruse TASS.

Putini prezantoi planin e tij të paqes një ditë përpara samitit, duke kërkuar që Ukraina të dorëzojë territorin e mbajtur nga forcat ruse dhe të tërheqë kërkesën e saj për t’u bashkuar me NATO-n.

EMISIONET