Mister rreth udhëheqjes së Iranit/ Lideri suprem Mojtaba Khamenei nuk është shfaqur publikisht që nga marrja e detyrës

Raportime të reja nga mediat e Lindjes së Mesme kanë ngritur pikëpyetje mbi situatën e brendshme në Iran, duke pretenduar se lideri suprem i vendit, Mojtaba Khamenei, nuk ndodhet aktualisht në territorin iranian.
Sipas rrjetit televiziv saudit Al-Hadath, që citon një burim të sigurisë izraelite, Khamenei nuk është shfaqur publikisht që prej marrjes së detyrës pas vdekjes së babait të tij, Ali Khamenei, në sulmet SHBA-Izrael më 28 shkurt.
Që nga marrja e drejtimit të Republikës Islamike, komunikimet e tij janë bërë vetëm përmes deklaratave të shkruara të transmetuara nga mediat shtetërore iraniane.
Një nga mesazhet e fundit lidhej me paralajmërimet ndaj Shteteve të Bashkuara për pasojat e një përshkallëzimi të ri ushtarak. Në deklaratë thuhej se Irani dhe aleatët e tij do të kishin “mësime për t’i dhënë” kundërshtarëve në rast të rifillimit të konfliktit.
Sipas të njëjtit raportim, këto mesazhe mund të mos jenë hartuar nga vetë Mojtaba Khamenei, por nga drejtues të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë të lartë.
Burimi i cituar nga Al-Hadath pretendon gjithashtu se brenda strukturave drejtuese iraniane ka përplasje dhe mosmarrëveshje të forta, të cilat mund të ndikojnë edhe në rolin e Gardës Revolucionare.
Ndërkohë, raportimet përfshijnë edhe pretendime mbi qëndrimin e Shteteve të Bashkuara ndaj një përfshirjeje të mundshme të Izraelit në operacione të reja ushtarake kundër Iranit.


