Çmimi Nobel në Ekonomi u jepet Joel Mokyr, Philippe Aghion dhe Peter Howitt

Çmimi Nobel në Ekonomi u jepet Joel Mokyr, Philippe Aghion dhe Peter

Çmimi Nobel në Ekonomi për vitin 2025 u nda për tre studiues të njohur ndërkombëtarisht – Joel Mokyr, Philippe Aghion dhe Peter Howitt – për kërkimet e tyre që kanë ndryshuar mënyrën se si kuptohet zhvillimi ekonomik dhe roli i inovacionit.

Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave i vlerësoi për kontributin e jashtëzakonshëm në shpjegimin e procesit të quajtur “shkatërrim krijues”, përmes të cilit teknologjitë dhe idetë e reja zëvendësojnë ato të vjetrat, duke nxitur rritjen ekonomike dhe përmirësimin e mirëqenies shoqërore.

Sipas Akademisë, studimet e tyre tregojnë se progresi ekonomik nuk është i përhershëm dhe se kërkon mbështetje të vazhdueshme për inovacionin, kërkimin shkencor dhe konkurrencën e lirë.

Profesori Joel Mokyr, nga Universiteti Northwestern në SHBA, u nderua për analizën historike mbi faktorët që nxisin inovacionin në shoqëri, ndërsa Philippe Aghion dhe Peter Howitt ndanë pjesën tjetër të çmimit për ndërtimin e modelit matematik të “shkatërrimit krijues” — proces që shtyn ekonominë drejt efikasitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Në reagimin e tij, Aghion u bëri thirrje vendeve evropiane të marrin shembull nga SHBA-ja dhe Kina, për të gjetur ekuilibrin mes konkurrencës së lirë dhe politikave industriale që nxisin inovacionin.

Çmimi, me vlerë 11 milionë korona suedeze (rreth 1.2 milionë dollarë), është i fundit që ndahet këtë vit dhe thekson se idetë e reja dhe teknologjia mbeten motori kryesor i zhvillimit ekonomik global.

Fituesit e këtij viti i shtohen listës prestigjioze të ekonomistëve si Milton Friedman, Paul Krugman dhe Robert Solow, që kanë lënë gjurmë të thella në teorinë ekonomike moderne.

EMISIONET