Merkel thirrje gjermanëve të vaksinohen: Merreni seriozisht Covidin

Kancelarja në largim Angela Merkel u bëri thirrje gjermanëve që të vaksinohen kundër Covid-19. Përmes një video mesazhi, disa ditë përpara largimit nga detyra, Merkel tha se koronavirusi duhet marrë seriozisht!
“Edhe një herë ju kërkoj që ta merrni seriozisht këtë virus të ndërlikuar”, tha Merkel, duke e quajtur valën e katërt të koronavirusit që goditi Gjermaninë “shumë serioze” dhe madje “dramatike”, me njësitë e kujdesit intensiv të mbingarkuara në disa pjesë të vendit.
"Varianti i ri Omicron në veçanti duket se është edhe më infektues se ata që dolën më parë. Vaksinohuni, pavarësisht nëse është vaksina juaj e parë ose një përforcues," shtoi ajo.
“Çdo vaksinë ndihmon”.
Kjo thirrje erdhi dy ditë pasi liderët federalë dhe shtetërorë vendosën mbi masat e reja, që kanë për qëllim të frenojnë një valë të re infektimesh me koronavirus.
Masat e reja përfshijnë përjashtimin e të pavaksiunuarve që të vizitojnë dyqanet, restorantet dhe eventet sportive e kulturore. Ndërkaq, Parlamenti do të shqyrtojë mundësinë që ta bëjë të detyrueshëm vaksinimin.
Të paktën 68.9 për qind të gjermanëve janë të vaksinuar plotësisht, që është shifër më e ulët sesa synimi i Qeverisë që të vaksinojë të paktën 75 për qind të popullsisë.
Personat e pavaksinuar shihen si fajtorët kyçë në rritjen e rasteve të reja me COVID-19 gjatë javëve të fundit. Të shtunën, qendra kombëtare gjermane për Kontrollin e Sëmundjeve raportoi për 64,510 raste të reja.

