Meloni: Dikur konsideroheshim “dele e zezë”, sot po i tregojmë rrugën Evropës

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, deklaroi sot se Italia sot po i tregon Evropës rrugën e lundrimit, pasi sipas saj, para tre viteve ka qenë dele e zezë e kontinentit të vjetër. Kryeministrja italiane tha se synon të shterojë mandatin pesëvjeçar të kësaj legjislature dhe se më pas do të gjykohet për veprën e saj nga qytetarët.
Në këtë mënyrë, e bëri të qartë se në rast se italianët pranverën e ardhshme nuk e miratojnë, përmes referendumit përkatës, reformën e drejtësisë të miratuar së fundmi nga parlamenti, ajo nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen.
“Brenda tre vjetëve rikthyem imazhin e kombit tonë. Ishim dele e zezë dhe tani mund t’i tregojmë Evropës rrugën e lundrimit. Më kujtohet si thoshin se kurrë nuk do të arrinim të qeverisnim kombin, ose se do të zgjatnim më pak se gjashtë muaj.
Sot jemi qeveria e tretë më jetëgjatë e Italisë në total 68. Dhe para tre ditësh, Financial Times shkroi se Evropa duhet të marrë mësim nga vendi ynë. Melonin e drejtë ta dërgojë në shtëpi e kanë vetëm italianët. Është diçka me të cilën e Majta nuk është mësuar, është demokracia”, përfundoi kryeministrja italiane.

