"Mediet sociale ndikojnë te ndasitë shoqërore", Zuckerberg kundërshton akuzat e ish-zyrtares së tij Haugen

"Mediet sociale ndikojnë te ndasitë shoqërore",

Dëshmia e fortë e ish-zyrtares së lartë të gjigantit teknologjik “Facebook”, Frances Haugen, mori vëmendje të madhe nga ligjvënësit amerikanë.

Akuzat e saj ishin që Zuckerbergu përpiqet vetëm për fitime më të larta ndërkohë që është më pak i kujdesshëm në lidhje me sigurinë e përdoruesve dhe se gjiganti i medieve sociale dëmton shëndetin mendor të fëmijëve dhe nxit ndasitë shoqërore. Ligjvënësit amerikanë kanë kërkuar që të bëhen hetime mbi këto akuza.

Vetëm pak orë pas dëshmisë së ish-zyrtares Haugen, ka reaguar vetë shefi i kompanisë, Mark Zuckerberg.

"Argumenti se qëllimisht shtyjmë përpara përmbajtje që i zemëron njerëzit, dhe këtë e bëjmë për fitime është thellësisht jologjik", shkroi ai.

"Ne bëjmë para nga reklamat, dhe reklamuesit na kërkojnë vazhdimisht se nuk duan që reklamat e tyre të jenë pranë postimeve me përmbajtje të dëmshme. Nuk di ndonjë kompani teknologjike që shet produkte për t’i depresionuar njerëzit,"  ishte mesazhi i Zuckerbergut.

Gjatë seancës së nënkomitetit të Tregtisë në Senatin amerikan, Frances Haugen bëri thirrje për transparencë më të madhe se si Facebooku i josh përdoruesit të vazhdojnë të qëndrojnë online.

Sipas saj, Facebooku po fsheh algoritmet se si funksionin nga publiku. Haugen u largua nga kompania kohë më parë duke marrë me vete dhjetëra mijëra dokumente konfidenciale.

"Facebooku dhe Instagrami i ka mjetet që të bëhet më i sigurt për qytetarët, por nuk do që t’i bëjë ndryshimet e nevojshme sepse kanë vënë fitimet përpara njerëzve. Veprimet e Kongresit janë të nevojshme," tha Haugen.

Por për shefin e kompanisë, Mark Zuckerberg, kjo ide që i jepet përparësi fitimit mbi sigurinë dhe mirëqenien shoqërore nuk është e vërtetë.

Kryetari i panelit, senatori Richard Blumenthal, nga radhët e demokratëve, kërkoi që Zuckerbergu të dëshmojë para komitetit dhe që Facebooku të hetohet nga Komisionet përkatëse.

"Fëmijët tanë janë viktimat. Adoleshentët që shikojnë veten në pasqyrë ndiejnë dyshime dhe pasiguri. Mark Zuckerberg duhet ta shikojë veten në pasqyrë," tha Blumenthal./OraNews/ 

EMISIONET