Me një diferencë të ngushtë votash/ Shpallet fituesja e zgjedhjeve presidenciale në Peru

Kandidatja e djathtë, Keiko Fujimori, është shpallur zyrtarisht fituese e raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale në Peru, tri javë pas mbajtjes së votimeve.
Sipas rezultateve përfundimtare të publikuara nga autoriteti zgjedhor, Fujimori siguroi 50.13% të votave, ndërsa rivali i saj, Roberto Sanchez, mori 49.86%. Diferenca mes tyre ishte më pak se 50 mijë vota, nga mbi 18 milionë votues, duke e bërë këtë një nga garat më të ngushta në historinë e vendit.
Fitorja e Keiko Fujimorit shënon rikthimin në pushtet të fujimorizmit, më shumë se dy dekada pas përfundimit të qeverisjes së babait të saj, Alberto Fujimori, i cili drejtoi Perun nga viti 1990 deri në vitin 2000.
Nga ana tjetër, Roberto Sanchez ka refuzuar të njohë rezultatin, duke pretenduar parregullsi në procesin zgjedhor dhe duke kërkuar anulimin e votave të diasporës peruane. Ai ka paralajmëruar gjithashtu se do t'u drejtohet institucioneve ndërkombëtare për të kundërshtuar rezultatin.
Keiko Fujimori pranoi se do të marrë drejtimin e një vendi të ndarë politikisht dhe u zotua të punojë për dialog dhe bashkëpunim me të gjitha forcat politike. Ajo deklaroi se "Peruja është e përçarë" dhe se përgjegjësia e qeverisë së re do të jetë të dëgjojë të dyja palët.
Dorëzimi i pushtetit pritet të bëhet më 28 korrik, kur presidentja e re do të nisë mandatin pesëvjeçar në një vend që prej vitesh po përballet me paqëndrueshmëri politike.


