Mbreti Charles mirëpret Zelensky në Kështjellën Windsor

Mbreti Charles mirëpret Zelensky në Kështjellën Windsor

Mbreti i Britanisë së Madhe, Charles III u takua sot me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në Kështjellën Windsor. Mbreti Charles e priti udhëheqësin në rezidencën mbretërore në perëndim të Londrës.

Zelensky udhëtoi në Britaninë e Madhe për t’u takuar me kryeministrin Keir Starmer dhe për të diskutuar mbrojtjen e vendit të tij dhe mënyrat e reja për të rritur presionin ndaj Rusisë përpara samitit të NATO-s që fillon nesër.

Presidenti ukrainas ishte veshur me një xhaketë të zezë dhe pantallona të zeza, në vend të uniformave të tij të zakonshme luftarake, për udhëtimin e tij në kështjellë.

Mbreti Charles dhe Zelensky u fotografuan duke biseduar ndërsa kalonin nëpër rezidencën historike dhe duke buzëqeshur ndërsa shtrëngonin duart në Korridorin e Madh.

Mbreti dhe udhëheqësi ukrainas janë takuar shumë herë – përfshirë në mars kur Charles e ftoi atë në një takim në Sandringham në Norfolk dhe korrikun e kaluar në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Pallatin Blenheim, në Oxfordshire.

Vizita e Zelensky në BM vjen pas raportimeve se Rusia qëlloi 352 dronë dhe 16 raketa drejt Ukrainës gjatë natës, duke vrarë të paktën 10 civilë, përfshirë shtatë në Kiev.

Zelensky tha se raportet paraprake tregonin se Rusia kishte përdorur raketa të Koresë së Veriut për të sulmuar Kievin dhe i përshkroi këto dy vende, dhe Iranin, si një “koalicion vrasësish”.

Vizita e tij në Londër vjen një ditë përpara se udhëheqësit e NATO-s të takohen në Hagë për një samit dyditor – me rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në krye të axhendës.

Zelensky është ftuar në samit, por nuk do të marrë pjesë në diskutimet kryesore dhe është ende e paqartë nëse ai do të jetë pjesëmarrës.

EMISIONET