Mbijetuan 248 orë nën rrënoja, nxirren gjallë 17 vjeçarja dhe 13 vjeçari
lëkundjet sizmike në një kohë që autoritetet kishin humbur shpresat për të mbijetuar. Numri i viktimave në Turqi dhe Siri ka arritur afërsisht në 42 mijë. Kryqi i kuq ka paralajmëruar për shpërthime sëmundjesh në Siri, ndërsa në Turqi sipas Jp Morgan, dëmi nga tërmetet llogaritet në mbi 25 miliardë dollarë. Ndihma nga e gjithë bota po grumbullohen për zonat e prekura ndërsa kryeministri Edi Rama ka akorduar 1 milionë euro për Turqinë.

Në kohën kur ekipet e shpëtimit dhe autoritetet në Turqi kishin humbur shpresat për të mbijetuar, nën rrënojat e tërmetit, një adoleshente u shpëtua pas një rekordi prej 248 orësh nga lëkundjet e forta sizmike. Punëtorët e shpëtimit nxorën të gjallë vajzën 17-vjeçare nga rrënojat e një ndërtese të shembur në provincën e Kahramanmaras.
Më herët në orët e mëngjesit, një 13 vjeçar u shpëtua pasi kaloi 228 orë nën rrënojat e një ndërtese të shembur në Antakya, në provincën Hatay të Turqisë.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s pas një takimi me ministrin e jashtëm turk Mevlut Cavusoglu e quajti tërmetin në Turqinë juglindore si "fatkeqësinë natyrore më vdekjeprurëse në territorin e aleancës" që nga themelimi i saj në vitin 1949.
Ai vuri në dukje se shtetet anëtare të NATO-s dislokuan mijëra forca të reagimit emergjent një ditë pas tërmeteve, duke përfshirë ekipe të kërkim-shpëtimit, mjekë dhe ekspertët sizmikë. Në bilancin e mesditës së enjte, autoritetet thonë se numri i të vdekurve nga tërmetet Turqi dhe Siri, është në total afër 42 mijë.
Autoritetet turke thonë se më shumë se 36,187 njerëz janë vrarë nga lëkundja sizmike që tronditi vendin ndërsa në Siri, numri i viktimave vlerësohet të jetë më shumë se 5800.
Kryqi i kuq ka paralajmëruar se Siria mund të përballet me shpërthime të rrezikshme sëmundjesh pas tërmetit shkatërrues të javës së kaluar, nëse qindra mijëra njerëz të zhvendosur nuk marrin strehim të përhershëm së shpejti. Sipas organizatës familjet që janë vendosur në strehimore të improvizuara pa ngrohje, kanë nevojë urgjente për strehim të përhershëm.
Nga ana tjetër në një vlerësim paraprak, kostot direkte nga shkatërrimi i godinave në Turqi nga tërmetet e 6 shkurtit vlerësohet se mund të arrijnë në 2.5 për qind të prodhimit vendas ose 25 miliardë dollarë, tha të enjten “JP Morgan”.
Autoritetet turke po mbledhin ndihma nga e gjithë bota, ndërsa edhe Shqipëria është bërë pjesë e fushatës “Turqia Një Zemër”.
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar akordimin e një ndihme prej 1 milion euro, përmes një telefonate në televizionin turk. Rama tha se Shqipëria nuk do ta harrojë ndihmën që Turqia ofroi pas tërmetit të nëntorit të vitit 2019.
Deri më tani vlerësohet se për Turqinë janë grumbulluar afërsisht 5,7 miliardë euro ndihma financiare.
