Macron distancon Francën nga dosja Epstein: Çështja i përket SHBA-së

Macron distancon Francën nga dosja Epstein: Çështja i

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka distancuar zyrtarisht vendin e tij nga skandali i dosjeve të Jeffrey Epstein, duke theksuar se bëhet fjalë për një çështje që i përket kryesisht SHBA-së, sipas “Le Monde”.

Deklarata e Macron erdhi pas dorëheqjes së ish-ministrit francez të Kulturës, Jack Lang, nga posti i tij si kreu i Institutit të Botës Arabe.

Dorëheqja e Lang vjen pasi prokuroria franceze vendosi të nisë një hetim paraprak për dyshime mbi mashtrim fiskal ndaj tij dhe vajzës së tij, Caroline Lang, emrat e të cilëve përmenden në dosjet e lidhura me ish-financierin amerikan Jeffrey Epstein.

“Kjo është një çështje që i takon kryesisht SHBA-së. Nuk dua të përfshihem në debatin mbi dosjet Epstein. Sistemi i drejtësisë atje duhet të bëjë punën e tij, kjo është e gjitha”, tha Macron.

Ai bëri gjithashtu thirrje për ushtrimin e një gazetarie serioze dhe profesionale, duke theksuar se publikimi i këtyre dosjeve po nxiste teori konspirative.

Jack Lang rezulton të jetë figura publike më e lartë në Francë që shfaqet në mesazhet private të Epstein, i cili u vetëvra në vitin 2019 në një burg amerikan, ndërsa priste gjyqin për akuza të trafikimit seksual të vajzave minorene.

Lang pranoi në vitin 2020 se kishte pasur marrëdhënie financiare me Epstein, të cilin, sipas tij, ia kishte prezantuar regjisori amerikan Woody Allen.

Megjithatë, ai ka mohuar çdo shkelje ligjore dhe është shprehur se ishte tronditur kur kishte zbuluar emrin e tij në dokumentet e një kompanie offshore të themeluar nga Epstein.

Sipas mediave franceze, bëhet fjalë për një kompani offshore me seli në Ishujt Virgin, në pronësi të Epstein dhe Caroline Lang.

Sipas këtyre burimeve, Epstein i kishte lënë Caroline Lang 5 milionë euro në testamentin e nënshkruar para vdekjes së tij.

Caroline Lang ka deklaruar se kishte ndërprerë çdo lidhje me kompaninë sapo kishte mësuar për veprimtarinë kriminale të Epstein dhe se nuk kishte dijeni mbi arsyen e përfshirjes së saj në testament.

Ndërkohë, ajo ka dhënë dorëheqjen edhe nga drejtimi i Bashkimit të Producentëve të Pavarur, që përfaqëson producentët e pavarur të filmit në Francë.

Në dokumentet e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë më 30 janar, në kuadër të hetimeve ndaj Epstein, përfshihet edhe një fotografi ku Jack Lang shfaqet së bashku me Epstein përpara Muzeut të Luvrit.

EMISIONET