LE PEN JASHTË POLITIKËS/ Prokuroria franceze kërkon ndalim pesëvjeçar në garën presidenciale

Prokuroria franceze kërkon ndalim 5-vjeçar për Marine Le Pen, për të kandiduar në zgjedhje presidenciale të vitit 2027. Ajo ëhstë  dënuar për përvetësim të fondeve të Parlamentit Europian në një skandal me vende pune fiktive.

LE PEN JASHTË POLITIKËS/ Prokuroria franceze kërkon ndalim

Prokuroria franceze po kërkon në apel që liderja e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, të mbetet e ndaluar për pesë vite nga kandidimi në zgjedhje, një masë që do ta përjashtonte praktikisht nga gara presidenciale e vitit 2027.

Kërkesa vjen pasi Le Pen u shpall fajtore për përvetësim të fondeve të Parlamentit Europian në një skandal me vende pune fiktive.

Sipas prokurorëve, serioziteti i çështjes kërkon sanksione të forta. Ata kanë rekomanduar gjithashtu një dënim me katër vite burg, ku tre vite të jenë të pezulluara, ndërsa një vit të kryhet në arrest shtëpie me byzylyk elektronik, si dhe një gjobë prej 100 mijë eurosh.

Çështja lidhet me përdorimin e fondeve të Bashkimit Europian për të paguar punonjës të partisë në Francë, në vend të asistentëve të eurodeputetëve në Bruksel apo Strasburg. Prokuroria thotë se skema ka funksionuar për vite me radhë dhe ka shkaktuar një dëm financiar prej rreth 4.8 milionë eurosh ndaj fondeve europiane. Sipas akuzës, sistemi ishte i organizuar dhe i dokumentuar në komunikime të brendshme.

Marine Le Pen i ka mohuar akuzat dhe ka apeluar vendimin, duke këmbëngulur se nuk ka pasur një sistem të qëllimshëm abuzimi. Ajo ka kritikuar më herët ashpër drejtësinë, por gjatë procesit të apelit ka mbajtur një ton më të përmbajtur.

Vendimi përfundimtar pritet nga Gjykata e Apelit e Parisit në muajt në vijim. Nëse ndalimi konfirmohet, skena politike franceze mund të riformatohet, me presidentin e partisë Jordan Bardella që shihet si zëvendësues i mundshëm i Le Pen në garën për Elysee.

Deri atëherë, sytë e politikës franceze mbeten te verdikti i gjykatës.

EMISIONET